Bullgaria dërgon kontingjent ushtarak në Kosovë

Bullgaria ka dërguar një kontingjent ushtarak në Kosovë, prej 120 trupave për të paktën tre muaj.

Ky kontingjent i Komandës së Brigadës së Tretë do të marrë pjesë në Forcën Rezervë Operacionale të Forcës Stabiliziuese të NATO-s në vend.

Mediumi bullgar “BTA“, ka raportuar të mërkurën se është mbajtur edhe ceremonia zyrtare për dërgimin e kontingjentit ushtarak.

“Urdhri ka ardhur të premten, të mërkurën tashmë po i dërgojmë, që do të thotë se gatishmëria që e ruajnë ka qenë në nivelin e duhur dhe mund të reagojmë brenda afateve të përcaktuara”, ka theksuar admirali Emil Eftimov, shefi i Mbrojtjes i Bullgarisë.

Ndërsa, një nga pjesëtaret e këtij kontingjenti ka thënë se është hera e parë që merr pjesë në një mision të tillë.

“Është hera e parë që marr pjesë në një mision të tillë, nuk kam asnjë shqetësim, ndihem mirë e përgatitur dhe e motivuar”, tha Anelia Petrova nga Komanda e Brigadës së Tretë.