Busquets refuzon rinovimin e kontratës, largohet nga Barça

Mesfushori Sergio Busquets do të largohet nga Barcelona këtë verë pas 15 vjetëve me ekipin e parë, ka njoftuar “Diario AS” të martën. Bëhet e ditur se 34-vjeçari ka marrë një vendim të tillë pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës me klubin, që i skadon në fund të këtij edicioni.

Mësohet se Busquets ka mbetur tejet i zhgënjyer me ofertën e Barcelonës, pasi në rinovimin e kontratës i është ofruar pagë dukshëm më e vogël.

Po ashtu, Barça i ka ofruar atij rinovimin e kontratës vetëm për një vit. Kjo ka bërë që Busquets të refuzojë ofertën dhe të njoftojë klubin për largimin e tij në verë si lojtar i lirë. Ai është kapiten i Barcelonës, ndërsa brenda këtij muaji do ta bëjë njoftimin zyrtar se nuk do të jetë më pjesë e klubit. Busquets ka debutuar me ekipin e parë të Barcelonës në vitin 2008 dhe ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh. Këtë edicion, në 39 ndeshje në të gjitha garat, ai ka bërë 4 asistime.