Çavuşoğlu: Duhet të kemi një zë të përbashkët kundër terrorizmit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të refuzojë të gjitha format e terrorizmit dhe tha se islamofobia është bërë një kërcënim i madh për botën, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu foli në takimin e 73-të plenar të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku u prezantua një projektrezolutë për eliminimin e racizmit, diskriminimit racor dhe ksenofobisë.

“Islamofobia dhe racizmi shkojnë bashkë me njëra-tjetrën”, tha Çavuşoğlu, duke iu referuar sulmit terrorist në Christchurch të Zelandës e Re, ku një terrorist vrau të paktën 50 besimtarë muslimanë.

“Nuk mund ta shpërfillim dhunën. Duhet të kemi një zë të përbashkët kundër këtyre akteve të dhunës”, tha kryediplomati turk.

Çavuşoğlu gjithashtu tha se terrorizmi nuk duhet të asocohet me ndonjë fe.

“Të gjithë duhet të hedhim poshtë përdorimin e shprehjeve si terrorizmi islamik, terrorizmi i krishterë, terrorizmi hebre ose terrorizmi budist”, deklaroi ministri i Jashtëm turk Çavuşoğlu.