Çavuşoğlu: Sulmet izraelite kundër civilëve palestinezë, krim kundër njerëzimit

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se se sulmet e Izraelit kundër civilëve palestinezë përbëjnë “krim kundër njerëzimit” dhe se nuk ka asnjë arsye të drejtë për një agresivitet të tillë dhe një “bllokadë çnjerëzore” që zbaton Izraeli ndaj Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu mori pjesë nëpërmjet video-mesazhit në një seancë speciale të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ku u diskutua “situata serioze e të drejtave të njeriut” në territoret palestineze që mbahen në pushtim.

Kryediplomati turk vuri në dukje se javët e kaluara janë dëshmitarë të skenave tronditëse në Palestinë dhe se përjetimet janë rezultat i provokimeve të Izraelit ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe lagjes Sheikh Jarrah.

“(Veprimet e Izraelit) Këto provokime janë pjesë e një fushate sistematike të spastrimit etnik, fetar dhe kulturor”, tha Çavuşoğlu.

“Sulmet izraelite kundër civilëve palestinezë përbëjnë krim kundër njerëzimit”, theksoi Çavuşoğlu, i cili shtoi se nuk ka asnjë arsye të drejtë për një agresivitet i tillë.

“Nuk ka asnjë arsye të drejtë për bllokadën çnjerëzore në Gaza. Duhet të përfundojnë menjëherë këto ndëshkime masive. Komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi të mbrojë palestinezët”, shtoi ai.

Pasi nënvizoi se “Duhet të gjenden mjete efektive për t‘i dhënë fund mos-ndëshkueshmërisë së Izraelit”, Çavuşoğlu tha: “Të jemi realistë. Vuajtjet e palestinezëve do të vazhdojnë për sa kohë që nuk diskutojmë arsyet themelore të konfliktit. Situata e keqe në të cilën ndodhen palestinezët nuk përfundon për sa kohë që nuk përfundon okupimi i paligjshëm dhe për sa kohë që (palestinezët) nuk kanë shtetin e tyre”.

Më tej Çavuşoğlu tha se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut luan një rol të rëndësishëm në të gjitha këto fusha dhe se tashmë ka nevojë për kalim në veprim dhe jo për fjalë. /aa