Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ky njeri po turpëron vazhdimisht Shqipërinë!

Ky njeri po turpëron vazhdimisht Shqipërinë!

Kur show personal zëvendëson dinjitetin shtetëror

Nuk ka më vend për dyshime apo eufemizma. Çdo dalje ndërkombëtare e kryeministrit Edi Rama po kthehet në një spektakël të sikletshëm, ku dinjiteti i shtetit shqiptar cenohet nga sjelljet e tij ekscentrike.

Teksa liderët evropianë u mblodhën në Berlin për të marrë vendime jetike mbi sigurinë e kontinentit dhe luftën në Ukrainë, vëmendja e një pjese të mediave greke dhe belge, si Protothema dhe De Standaard, u përqendrua te momenti kur Rama iu afrua papritur nga pas homologut belg Bart De Wever, duke e përqafuar teksa ai po fliste me gazetarët.

Reagimi i menjëhershëm i De Wever-it – “Ky duhet të jetë shqiptari. Ai gjithmonë vjen nga prapa…!” – u lexua nga shumë vëzhgues jo thjesht si një shkëmbim spontan humori, por si një dëshmi e mënyrës se si sjelljet e Ramës po kthehen në objekt ironie në korridoret diplomatike.

Kjo batutë bart një nëntekst të rëndë që lidhet me pabesinë dhe prapaskenën. Një ironi e hidhur që një lider i cili prej muajsh e ka kthyer konceptin e “besës” në një shtyllë të komunikimit dhe propagandës së tij qeverisëse, të identifikohet në sytë e homologëve të huaj si njeriu që “vjen gjithmonë nga prapa”.

Sepse kjo frazë sintetizon profilin e një politikani të pasinqertë, që shmang përballjen e drejtpërdrejtë dhe të hapur për të thënë atë që mendon, duke preferuar manovrat e prapaskenës, paparashikueshmërinë dhe veprimet nga të cilat mund të presësh gjithçka.

Për ta bërë tablonë edhe më therëse, tek po i linte vendin te mikrofoni, kryeministri belg shtoi një tjetër koment plot sarkazëm: “Dëgjojeni atë. Ti di gjithçka për rusët!”.

Kjo fjali godet drejt e në shenjë ambicien e tij të përhershme për t’u shfaqur si një lider global dhe gjeostrateg që jep leksione për çështjet e mëdha botërore, ndërkohë që në realitet kolegët evropianë e presin këtë qasje me një dozë të dukshme ironie.

Ndërsa mbështetësit e kryeministrit dhe mediat pranë qeverisë i paraqesin këto gjeste të shpenguara si tipare të një lideri modern, të afërt dhe jashtë kornizave të ngurta burokratike, fakti është se gjeste të tilla tregojnë se Rama e harron shpesh peshën e postit që mban.

Në këto samite ai nuk përfaqëson teket e tij personale apo stilin e tij bohem, por Republikën e Shqipërisë.

Edhe thyerja e vazhdueshme e protokollit me atletet e bardha të veshura nën kostum – të cilat ngjallën komente me humor edhe në samitin e NATO-s nga figura si Mark Rutte dhe Donald Trump, ndërsa në Berlin ranë më pak në sy vetëm sepse Rama qëndronte në rreshtin e fundit të fotografisë zyrtare – shihet si mungesë respekti ndaj rregullave që garantojnë barazinë dhe seriozitetin mes shteteve.

Kjo qasje bëhet edhe më e debatueshme, kur kemi parasysh se Shqipëria ka vuajtur për disa dekada paragjykimin dhe diskriminimin në Perëndim. Tranzicioni i vështirë, fenomenet e trafikut të drogës dhe prostitucionit, kriza e skemave piramidale dhe kaosi i vitit 1997, lanë pas stereotipe të rënda që shqiptarët e zakonshëm i kanë paguar me mund e sakrifica.

Një vend me këtë histori, ka nevojë për seriozitet dhe maturi institucionale, jo për veprime që ushqejnë klishe të vjetra. /tesheshi