Çavuşoğlu: YPG do të çarmatoset

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se asnjë shtet i tretë nuk do të ketë rol në udhërrëfyesin e Munbixhit të dakorduar mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

“Asnjë shtet i tretë nuk do të ketë rol. Kjo përfshin Francën, Britaninë, apo Belgjikën. Nuk do të ketë asnjë shtet të tretë”, tha Çavuşoğlu.

Ministri Çavuşoğlu, duke folur për udhërrëfyesin për Munbixhin, tha se YPG do të çarmatoset.

– Modeli i Munbixhit do të zbatohet edhe në zona të tjera

Çavuşoğlu, tha se pas përfundimit të modelit të Munbixhit të dakorduar mes Turqisë dhe SHBA-së, model i ngjashëm do të zbatohet edhe në vende të tjera të Sirisë.

“Pas përfundimit të modelit të Munbixhit, këtë do ta transferojmë edhe në zona të tjera, në zona të okupuara nga YPG. Edhe kjo është pjesë e marrëveshjes sonë”, tha Çavuşoğlu.