Çdo gjë e re nuk është bidat

Dr. Jusuf el-Karadavi

ÇDO GJË E RE NUK ËSHTË BIDAT
VERIFIKIMI I DISA GJËRAVE TË DITËS SË XHUMA QË PRETENDOHET SE JANË BIDATE

Dr. Jusuf el-Karadavi

Më arriti një letër e nënshkruar nga vëllau i nderuar që e kish dërguar prej Algjerie, ku thuhej:
PYETJA:Dita e xhuma –pa dyshim-është dita më e mirë e javës. Në këtë ditë është bërë obligim që namazi i xhumasë të falet me xhemat(kolektivisht) në kohën e namazit të drekës.Për t’u treguar rëndësia e kësaj dite, për t’u ngrit vlera e saj dhe të amshohet emri i saj, kaptina 62 e Kur’anit është quajtur me këtë emër”Suretu-l-xhumua”.Poashtu, ka shumë hadithe të të dërguarit të Allahut, qoftë në dy koleksionet e sakta të haditheve-të Buhariut dhe Muslimit-, qoftë në koleksionet tjera të hadithit, të cilat e konfirmojnë vlerën e kësaj dite dhe thirrin që të përfillet.
Nisur nga vlera e madhe që ka dita e xhuma, djalli i mallkuar e mobilizoi ushtrinë e vet që t’i sfidojnë njerëzit-qoftë masën e gjërë apo intelektualët- dhe t’ua mjegullojnë gjërat, t’ua zbukurojnë vënien e disa adhurimeve në vend të ibadeteve të cilat janë legalizuar për ditën e xhuma. Ata këtë veprim e kanë bërë nga neglizhenca, e me këtë janë përfshirë në përmbajtjen e ajetit 104 të Kaptinës El-Kehf.
A lejohet të thuhet në formë figurative:Nëse dita e xhuma është dita që më së tepërmi u ekspozohet bidateve, atëherë njerëzit të cilët më së tepërmi u ekspozohen sprovave janë:të dërguarit e Allahut, qoftë ata të cilëve u ka zbritur libër, apo ata që kanë vepruar me atë libër që është zbritur para tyre?
Bidatet(risitë e urrejtura) që i kanë shpikur njerëzit në ditën e xhuma, në esencë janë adhurime me të cilat njeriu i afrohet Allahut, në këtë nuk ka fare dyshim, e ato nuk kanë marrë tretmanin e bidatit për gjë tjetër, jashta se janë vënë në vendin jo të duhur, qoftë në kuptim të kohës apo vendit.Ja disa shembuj për këtë:
1-Leximi i Kur’anit me altoparlant në volumin më të madh të zërit, që në këtë formë, është bërë prej simboleve të ditës së xhuma, nëse jo edhe prej suneteve të saj.Kjo, edhe pse ngritja e zërit në xhami, duke lexuar, nuk është e lejuar, sepse me të pengohen tjerët…
2-Ligjeratat-derset këshilluese që mbahen para hutbes(ligjeratës së xhumasë në minber). Këto ligjerata edhe pse janë adhurim dhe të dobishme, nga ana tjetër, nuk janë legjitime në këtë kohë, sepse kjo kohë është kohë e namazeve vullnetare, leximit të Kur’anit dhe dërgimit të salavateve për Pejgamberin s.a.v.s….Pastaj gjeneratat e para (selefi), për të cilët është dëshmuar se janë në rrugë të drejtë dhe të shpëtuar, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, edhe pse ka patur shkak për të, sepse ata kanë qenë njerëzit më të ditur dhe më të thirrur në shkencë. Ndërkaq neve na mbetet vetëm që ti pasojmë në atë që e kanë bërë dhe në atë që e kanë braktisur.
3-Ka shumë bidate të cilat i kanë shpikur njerëzit ditën e xhuma, e disa prej tyre i ka përmendur dijetari i shquar Ibn El-Haxh në librin e tij “El-Med’hal”, vëll.II, fq.203-282. Prej tyre disa janë prezente në të gjitha xhamitë e botës, disa tjera janë prezente në pjesën më të madhe të xhamive, e disa tjera janë prezente nëpër xhami në mënyrë selektive, por në përgjithësi, nuk ka xhami ku nuk ka bidate.
4-Ndërkaq, bidati i ri i cili u është bashkangjitur bidateve tjera pa mirëseardhje, i cili është evident vetëm në Algjeri dhe ka lindur në kryeqytetin e këtij vendi, dhe mendoj se ai i cili e varros do të shpërblehet në ditën kur çdo njeri do ta mer atë që e ka fituar dhe do të gëzohet atë ditë kur, disa fytyra do të zbardhen e disa tjera do të nxihen. Fjala është për hutben e tretë në formë të komunikatës në dy faqe të mëdha.
Kjo ndodhi në xhaminë e Abdu-l-Hamid ibn Badisit në kryeqytet, në Shtator të vitit 1989. Ligjeruesi pas ligjeratës lajmëroi për këtë komunikatë të cilën unë e quaj hutbe e tretë. Njëri e mori mikrofonin dhe iu drejtua xhematit duke thënë:o ju besimtarë, mos shpërndaheni pas namazit, por qëndroni në vendet tuaja, sepse do t’ju lexohet një komunikatë. Edhe pse kjo komunikatë ka vlerën e vet, por, nga ana tjetër, nuk është kjo koha dhe vendi i duhur, por koha e saj është në termin tjetër të ditës së xhuma, poashtu, kjo duhet të publikohet në gazeta, revista dhe simpoziume.Poashtu, kjo komunikatë duhet tu jepet kompetentëve në ministrinë e arsimit të lartë.
Kjo dhe unë këtu dua të pohoj se, edhe pse e përkrahi qind për qind përmbajtjen e komunikatës, mirëpo e shprehi fuqishëm kundërshtimin tim të mënyrës se si u bë kumtimi i saj, me qëllim që ta mbrojë atë që ka qenë praktikë e gjeneratës së parë(selefit) të devotshme.
Ai i cili e lexon kaptinën “El-Xhumu’a” has një ajet i cili i i thirr falësit e namazit që menjëherë pas përfundimit të namazit të shpërndahen, e mos të qëndrojnë në xhami, bile edhe për namaz vullnetar, e kush don të fal sunet atë do ta bën në shtëpi.
Poashtu, dua të them edhe atë se, ma merr mendja që, ajo që bëhet është nga neglizhenca, e në këtë mënyrë luftohen dijetarët.Të lartë janë ata që nuk gabojnë.
A nuk pajtoheni me mua se ky bidat duhet të luftohet dhe të injorohet?
PËRGJIGJA:Vëllau im, dije se, nuk është bidat çdo gjë që është shpikur pas të dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse muslimanët kanë shpikur shumë gjëra, të cilat nuk kanë qenë në kohën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., por nuk kanë qenë të konsideruara bidat, fjala vjen : si legalizimi i një ezani tjetër ditën e xhuma, kur u shtuan njerëzit dhe u zgjerua qyteti i Medines. Poashtu, në këtë dioptri duhet shiquar edhe shpikjen e shkencave të ndryshme dhe ligjerimin e tyre në xhami, si:shkenca e jurisprodencës Islame(Fikhu), bazat e të drejtës(usuli fikhu), sintaksa dhe morfologjia, linguistika dhe stilistika, e të gjitha këto disciplina shkencore, nuk kanë qenë prezente në kohën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., por, u paraqitën si nevojë e kohës dhe nuk dolën jashta synimeve të fesë, gjegjësisht, ato janë për t’i shërbyer fesë dhe sillen rreth boshtit të saj.
Për këtë, veprimet të cilat janë në korniza të synimeve të sheriatit, nuk konsiderohen prej risive(bidateve) të urrejtura, edhe pse forma e tyre parciale, nuk ka qenë prezente në kohën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., sepse sipas të gjitha gjasave, nuk ka patur nevojë për një gjë të tillë.
Në këtë kontekst është edhe leximi i komunikatave para njerëzve, pas faljes së namazit, përkitazi me çështje që u tangojnë, sikur që vepruan vëllezërit tanë në xhamitë e Gazës dhe qyteteve tjera të Palestinës, në fillim të lëvizjes së intifadës Islame ashtu që komunikatat, proklamimet dhe thirrjet e tyre, kumtoheshin në shtëpitë e Allahut-xhamitë, në të thirrej prej minareve, dhe për këtë shkak, fillimisht Intifada u quajt:revolucioni i xhamive.
Xhamia është boshti i aktivitetit në jetën Islame.Në kohën e të dërguarit të Allahut ka qenë vend misioni dhe qendër e shtetit, sikur që e sqarova këtë në librin tim “El-Ibadetu fi-l-Islam”. Në xhami mbahen ligjerata dhe këshilla, prej xhamie nisen brigadat e xhihadit, në xhami i dërguari i Allahut s.a.v.s. i pranonte delegacionet e ndryshme dhe ambasadorët, aty lidheshin kunorat, bile aty abesinasit luajtën me shtizat e tyre dhe i lozën vallet e tyre të njohura në një nga ditët e festës, ndërkaq i dërguari i Allahut i stimulonte, dhe i ndihmonte bashkëshortes së tij Aishes, që ti shiqojë.
Për atë, pse nuk mund të jetë xhamia vend për kumtimin e komunikatave Islame, përmbajtjen e së cilave aspak nuk e mohon pyetësi, bile thotë se e përkrah përmbajtjen e saj qind për qind?
Poashtu, çfarë ndalese ka që të mbahet ligjeratë në xhami, pas xhumasë, me qëllim që të sqarohen disa gjëra që janë përmendur në hutbe, e që nuk ka premtuar koha të detajizohen, apo të jepet përgjigje në disa pyetje që u interesojnë njerëzve?
Unë personalisht e kam patur traditë këtë që herët, qysh kur ligjëroja në xhaminë Ez-Zemalik në Kajro, në vitet e pesëdhjeta të shek.XX. Pas namazit të xhumasë dhe faljes së dy reqateve sunet, ulesha mes njerëzve që t’u përgjigjem pyetjeve që parashtroheshin rreth hutbes-ligjeratës së xhumasë, apo rreth çështjeve tjera. Këto tubime ishin mjaft të dobishme, njerëzit patën mjaftë dobi dhe i ndiqnin me zell. Unë ende e praktikojë këtë kohë pas kohe në xhaminë ku ligjeroj në Doha, normalisht kur kam kohë, dhe më ndihmon shëndeti dhe rrethanat.
Ajeti Kur’anor:<<E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut,…>> , flet se shpërndarja dhe kërkimi i furnizimit, pas namazit, janë të lejuar e jo obligative, sepse mendimi më i drejtë është se, imperativi pas ndalesës, konsiston në lejim e jo në obligim, si që është rasti me ajetin:<<…E kur të hiqni ihramin, atëherë gjahtoni…>> , si dhe ajeti Kur’anor për gratë:<> .
Edhe në rastin konkret, Allahu xh.sh. e ka ndaluar shitblerjen kur thërret ezani i ditës së xhuma, e kur do të kryhet namazi, suprimohet ndalesa dhe çështja ngel ashtu si ka qenë.
Për sa i përket hadithit të cilin e transmenton Ebu Davudi, Tirmidhiju dhe Nesaiju prej Amër ibn Shuajbit, e ky prej babait të vet, prej gjyshit të vet, se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka ndaluar të recitohen poezi, të bëhet shitblerje dhe të mblidhen njerëzit në rrethe në xhami, ditën e xhuma para namazit”, e që Tirmidhiju e konsideron të mirë-hasen, kanë theksuar se përmendja e kushtit “para namazit”, është argument se kjo lejohet pas namazit për dituri dhe përmendje të Allahut.
Poashtu edhe ligjerata para xhumasë, mund të jetë e nevojshme apo mund ta imponojë interesi dhe dobia që shpresohet të realizohet nga kjo ligjeratë. Në këtë kontekst, duhet përmendur faktin se, në shumë vende jo arabe, hutbeja mbahet në gjuhën arabe, ndërkaq xhemati që janë prezent, nuk e njohin arabishten, për atë edhe, nuk kanë ndonji dobi të rëndësishme prej hutbes, gjë që dikton si zakonisht, shkurtësinë e saj. Për këtë shkak, ata këtë shprazëti e plotësojnë me ligjeratë në gjuhën përkatëse të popullit, para xhumasë, ku prezentojnë njerëzit të cilët kanë kohë dhe duan t’i njohin çështjet fetare.
Përafërsisht, kështu duhet shiquar edhe ajo që ndodh në Algjeri, si dhe në disa vende tjera në perendim të botës arabe dhe Afrikë, sepse shumë ligjerues zyrtarë, nuk mund ta arrijnë qëllimin përmes ligjeratave të tyre, ndërkaq njerëzit nuk presin pas namazit, për këtë, ligjerata para namazit është kompenzim për shkurtimin e hutbes, e në veçanti nëse ai i cili mban ligjeratë-ders është prej atyre të cilët nuk mund ta mbajnë hutben, sepse ndodh që të jetë jo shtetas i atij vendi, apo ka ndonji pengesë tjetër të këtij lloji.
Natyrisht se ky termin, nuk është koha ideale, por duhet që hutbeja të mjaftojë, mirëpo nga ana tjetër, ky është realiteti ynë, e ne shumë herë detyrohemi që të zbresim nga idealja në realitetin e ulët, ndërkaq Islami këtë e lejon konform rregullit të domosdoshmërisë dhe dispozitave të saj.
Mbetet ta shqyrtojmë hadithin që e përmendëm prej Amër ibn Shuajbit, përkitazi me të cilin janë zhvilluar polemika të njohura, po edhe nëse pajtohemi se hadithi është i gradës hasen-i mirë, sikur që thotë Tirmidhiju, ai nuk dëshmon për diçka ma tepër se veprimi i tillë të jetë i pa pëlqyer, ndërkaq pa pëlqyeshmëria, pezullohet me nevojën ma të vogël apo interesin më të thjeshtë.
Tirmidhiju thotë:Disa dijetarë e kanë urrejtur shitblerjen në xhami, të këtij mendimi janë edhe Ahmedi e Is’haku.
Nga disa dijetar të tabi’inëve, përmendet se tolerohet shitblerja në xhami, e prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në disa hadithe, përmendet tolerimi për recitimin e poezive në xhami .
Mirëpo, duhet patur parasyshë faktin se, dijetarët e kanë përmendur shkakun ndalimit të tubimit në rrethe në xhami, para namazit. Autori i veprës “Tuhfetu-l-ehvedhij” përmend se këto rrethe, mund t’i shkëputin rrathët e namazit(safat), sepse muslimanët urdhërohen të vijnë sa ma herët në xhami ditën e xhuma, dhe t’i ngjeshin safët-rrathët e namazit, njëri pas tjetrit, poashtu këto rrathë ndryshojnë prej formës së tubimit të namazfalësve .
Poashtu, edhe Ibn el-A’rebiju në veprën “Aridatu-l-ahvedhij fi sherhi Et-Tirmidhijj” përmend se është ndaluar tubimi në rrethe ditën e xhuma, sepse njerëzit duhet të jenë në rrathë të kthyer kah imami në hutbe, dhe të rreshtohen pas tij në namaz .Tubimi në rrethe bie ndesh me këtë, sepse ata qëndrojnë në formë kruzhoqesh jo në drejtim të Kibles, si dhe as të ngjeshur, sikur rrathët e namazit, pra në këtë formë, nuk rreshtohen ata që falen, sepse ata janë të rradhitur në saffe, të drejtuar kah Kibla, dhe të gatshëm për namaz kur do të vijë koha.
Dijetarët duke u thirrur në ndalimin e tubimit në rrethe para xhumasë, kanë përfunduar se tubimi në rrethe, pas xhumaje, është legjitim dhe nuk paraqesin problem, sikur që thekson imam Hattabi në veprën “Mea’limus-sunen”.

Allahu na ndihmoftë dhe na udhëzoftë në të drejtën.

Prej arabishtes:Bashkim Aliu