Elon Musk, drejtuesi i Tesla dhe SpaceX, ka qenë prej vitesh një nga njerëzit më të pasur në botë dhe së fundmi, pasuria e tij ka arritur në nivele stratosferike, duke e bërë njeriun e parë në histori që ka prekur vlerën prej gjysmë trilioni dollarësh.
Megjithatë, miliarderi shpesh ka insistuar se jeta e tij nuk është aq luksoze sa mendohet.
Në vitin 2021, Musk deklaroi se jetonte në një shtëpi modeste në Teksas me vlerë vetëm 50 mijë dollarë. Edhe ish-partnerja e tij, këngëtarja Grimes, e përshkroi jetesën e tij si “shokueshëm të thjeshtë”, duke i thënë Vanity Fair se “ai ndonjëherë jeton nën nivelin e varfërisë”, aq sa refuzonte të blinte një dyshek të ri ndonëse i vjetri kishte një vrimë.
Nga pallatet në Bel-Air, te një shtëpi modulare në Starbase
Në të kaluarën, Musk zotëronte një portofol të pasur me prona luksoze në Bel-Air të Kalifornisë, për të cilat kishte shpenzuar rreth 100 milionë dollarë. Ato përfshinin pishina, terrene tenisi, një bibliotekë private, madje edhe një shtëpi që dikur i përkiste aktorit legjendar Gene Wilder.
Por në vitin 2020, ai njoftoi se do të shiste “të gjitha pasuritë e tij fizike” me synimin për t’u fokusuar plotësisht tek misionet në Mars dhe Tokë. Musk deklaroi se pasuria materiale “të rëndon shpirtërisht”. Ai i qëndroi fjalës dhe i shiti të gjitha shtëpitë, përveç asaj të Wilder, të cilën ia kaloi nipit të aktorit, Jordan Walker-Pearlman. Megjithatë, në qershor 2025, Musk e rimori pronën pasi blerësi kishte hasur vështirësi financiare.
Sot, shtëpia e vetme që zotëron zyrtarisht ndodhet në jug të Teksasit, pranë bazës së SpaceX, në qytetin e ri “Starbase”.
“Është fantastike në mënyrën e vet”, tha Musk. Në intervista të mëvonshme, ai shtoi se shpesh nuk ka një shtëpi fikse dhe qëndron në dhomat e miqve kur udhëton për punë.
Koleksioni i makinave të pazakonta
Nëse Musk nuk shpenzon për pasuri të paluajtshme, e bën këtë për makina. Koleksioni i tij përfshin modele ikonike si Ford Model T, një Jaguar E-Type të vitit 1967, një McLaren F1 të vitit 1997 që e rrëzoi dhe më pas e riparoi, si dhe një Tesla Roadster, e cila në vitin 2018 u lëshua në hapësirë.

Por më e veçanta është një Lotus Esprit i vitit 1976, makina-submarinë e James Bond nga filmi The Spy Who Loved Me. Musk e bleu në ankand për afro 1 milion dollarë, me idenë për ta kthyer vërtet në një automjet që mund të zhytej në ujë.

Udhëtimet me avion privat
Ndryshe nga banesa apo veshjet e thjeshta, Musk nuk kursen për avionë privatë.
Ai zotëron disa modele Gulfstream, që vlejnë dhjetëra milionë dollarë, duke justifikuar shpenzimet me nevojat e punës.
“Nëse nuk përdor avionin, kam më pak orë për të punuar”, tha ai në një intervistë për TED në 2022.
Një filantropi e pazakontë
Musk ka dhuruar miliarda dollarë në aksione për organizata bamirësie dhe ka premtuar shumë të tjera. Por sipas The New York Times, ndihmat e tij shpesh janë “të çrregullta dhe vetëshërbyese”, duke i siguruar përfitime tatimore të mëdha dhe duke ndihmuar kompanitë e tij.
Fondacioni i tij, Musk Foundation, deklaron se synon “përparimin e njerëzimit përmes inovacionit shkencor dhe teknologjik”, por sipas gazetës amerikane, fondacioni ka dështuar disa vite radhazi në plotësimin e detyrimeve ligjore për donacionet minimale të kërkuara. Shumë nga përfituesit kanë qenë organizata me lidhje direkte me Musk.
Vetë miliarderi mbetet skeptik ndaj filantropisë tradicionale.
“Nëse kujdesesh për realitetin e mirësisë dhe jo për perceptimin e saj, atëherë filantropia është jashtëzakonisht e vështirë”, ka thënë ai.
Për Musk, kompanitë e tij janë forma më e pastër e bamirësisë. Tesla nxit energjinë e qëndrueshme, SpaceX synon mbijetesën afatgjatë të njerëzimit, ndërsa Neuralink përpiqet të trajtojë dëmtimet e trurit dhe rreziqet e inteligjencës artificiale.








