Çfarë kërkuan xhinët nga Zoti i Botëve kur për herë të parë e dëgjuan Kuranin

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Çfarë kanë kërkuar nga Allahu, xh.sh., shokët e shpellës, kur për shkak të fesë së tyre u fshehën në shpellë dhe kur ishin në vështirësi të madhe?

Ata ju lutën Allahut t’u japë “rushd” – maturi, mendje të shëndoshë dhe largpamësi, dhe nuk i janë lutur Allahut për fitore, as për pushtet në tokë. Ata në lutjen e tyre thanë:

“…O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë (rasheda)!“

(El – Kehf, 10)

Çfarë kërkuarn xhinët nga Zoti i botëve kur kanë dëgjuar për herë të parë Kuranin?

Ata cilësinë e Kuranit si shpallje të Allahut, xh.sh., në veçanti e kanë potencuar dhe kanë përmendur fjalën “rushd”, siç thotë ajeti:

“Thuaj: ‘Mua më është shpallur se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: ‘Ne kemi dëgjuar një Kur’an që mahnit.

Që udhëzon në të vërtetën (jehdi iler-rushdi), andaj ne i besuam atij dhe Zotit tonë, kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë më askë’.“

(El – Xhinn, 1-2)

Kur populli i Lutit, a.s., ishte zhytur në veset e këqija dhe homoseksualizëm, vrapuan kah shtëpia e tij, ngase tek ai kishin ardhur djelmosha (melekë në formën e djelmoshave), ai u gjend në situatë të palakmueshme dhe në këtë situatë të rëndë dhe të mundimshme u tha:

“…Kini frikë pra All-llahun e mos më turpëroni me musafirët e mi, a nuk ka ndër ju ndonjë njeri të mençur (e t’ju ndalojë nga e keqja) (elejse minkum raxhulur-rashid)?“

(Hud, 78)

– d.m.th. a thua në mesin tuaj nuk ka asnjë që rezonon me mendje të shëndoshë, që nuk mendon dhe nuk vepron, i cili ju udhëzon në të vërtetën, i cili do të ju shpjegojë verbërinë e juaj epshore, i cili do të ju nxisë në vepra të mira dhe të bukura, e të ju largojë nga veprat e shëmtuara dhe amoraliteti?

Çfarë u dhuron Allahu, xh.sh., besimtarëve të cilët i binden dhe i përgjigjen Atij dhe të cilët i luten Atij?

U dhuron “rushd” – largpamësi, udhëzim dhe maturi. Në Kuran thuhet:

“E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar (leal-lehum jershudun), le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.“

(El – Bekare, 186)

Dijetarët islam thonë që fjala “rushd” në vete fsheh këto kuptime: të godasësh të vërtetë, veprim i drejtë në çdo situatë, ecje në rrugën e drejtë.

Nëse Allahu të dhuron “rushd”, do të thotë që të ka dhënë të mirë të madhe. Nëse Allahu të dhuron “rushd”, do të thotë që Ai të udhëheqë në rrugën e Drejtë, ndërsa atë që Allahu e udhëheqë në rrugën e Drejtë, Ai i bekon hapat e tij.

Për këtë, Allahu, xh.sh., na këshillon që gjithmonë të përsërisim:

“…Shpresohet se Zoti im do të më japë udhëzim (rasheda) edhe më të afërt prej këtij.“

(El – Kehf, 24)

Nga ky ajet mësojmë se “rushd” i zvogëlon fazat e udhëtimit tonë jetësor, zvogëlon vuajtjet dhe vështirësitë dhe rrit rezultatet.

Kur Musai, a.s., u takua me njeriun e mirë dhe të devotshëm (Hidrin, a.s.), nuk kërkoi asgjë pos “rushd”, siç aludon ajeti:

“…A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë (mim-ma aul-limte rushda)?“

(El – Kehf, 66)

Lutemi Allahut, xh.sh., që të na japë “rushd” – maturi, mençuri dhe largpamësi, në veçanti atyre që në vete e kanë marrë emanetin e udhëheqjes (politike dhe fetare), ngase sot në kohën e tërë këtyre ngatërresave aq shumë na nevojitet maturia, mençuria dhe largpamësia e veprimit.

Sepse, kur Allahu i Plotfuqishëm na lehtëson që të udhëhiqemi deri tek “rushdi”, do të thotë që na ka përgatitur dhe lehtësuar shkaset që udhëheqin kah suksesi dhe lumturia në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër.

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)