Çfarë parasheh Projektligji për Rimëkëmbje, si pritet të jetë procedura për tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti?

Sot është konfirmuar vota e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19, ku të premten pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme lidhur me kalimin në lexim të dytë të këtij Projektligji.

Në njërën nga amendamentet e propozuara, e që janë miratuar në Komisioni për Buxhet dhe Transfere është rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.

“Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Fondin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 për qind nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek Trusti-i brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë”, thuhet në amendament, shkruan Telegrafi.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se kjo parti do të iniciojë seancë të jashtëzakonshme për votimin e këtij Projektligji.

“Propozimet që i kemi debatuar gjatë janë amandamentuar dhe kanë mbështetjen tonë”, ka thënë Hoxhaj.

Projektligj parasheh plotësimin e një sërë ligjesh, i cili përfshinë edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga vetë qytetarët nga Trusti.

Lidhur me këtë, zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Tahiri pas vizitës që i kishte bërë Fondit Pensional, kishte thënë se, procedura e aplikimit për tërheqjen e kursimeve do të jetë online.

“Procedura e aplikimit do të jetë e thjeshtë. Do të jepet numri personal dhe i xhirollogarisë, kjo verifikohet nga BQK-ja dhe paratë e Trustit, 10-përqindëshi do të jetë në xhirollogari të përfituesit, atij që aplikon”, kishte bërë të ditur Tahiri.

Tahiri pas vizitës në Trustin pensional: Pas tri jave mund të nisin aplikimet për tërheqjen e 10 për qindëshit
Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontributpagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e kontribuuesve, përcjell Telegrafi. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë.

Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë. Nga numri total i kontribuueseve në Trust, 12 për qind e tyre kanë deri 10 mijë euro. Deri në 20 mijë euro në llogari kanë mbi 40 mijë qytetarë, kurse mbi këtë vlerë janë rreth 13 mijë qytetarë apo vetëm 2 për qind e kontribuueseve.

Aktualisht sipas Trustit, numri i përgjithshëm i kontribuueseve është 639,264.

Platforma e specializuar për matjen e opinionit publik, Pyper pas një sondazhi të realizuar për sa i përket tërheqjes së kursimeve ka thënë se, 54 për qind e të anketuarëve nuk mendojnë se marrja e 10-përqindëshit do t’i ndihmoj ata të kalojnë krizat financiare si shkak i COVID-19.