Çfarë qendronte pas devijimit të avionit në Bjellorusi?

Devijimi i aeroplanit të kompanisë Ryanair në Bjellorusi, i cili fluturonte drejt Lituanisë dhe çoi në arrestimin e një gazetari opozitar pasagjer në avion, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe thirrje për sanksione të ashpra kundër ish vendit të Bashkimit Sovjetik. Por çfarë ndodhi dhe cilat mund të jenë pasojat e incidentit?

ÇFARË NDODHI ?

Aeroplani i kompanisë Ryanair që po udhëtonte të dielën nga Athina për në Lituani, ishte në hapësirën ajrore bjelloruse, rreth 10 kilometra nga kufiri lituanez kur ndryshoi drejtimin dhe u kthye për në kryeqyetin bjellorus të Minskut.

Kompania ajrore Ryanair tha se zyrtarët ajrorë të Bjellorusisë njoftuan pilotin se kishte një kërcënim për bombë në avion dhe e urdhëruan atë të ulej në Minsk. Ushtria bjelloruse dërgoi një avion luftarak MiG-29 në një përpjekje të dukshme për të detyruar ekuipazhin e avionit që të respektojë urdhërat nga komanda bjelloruse e fluturimeve.

Menjëherë sapo aeroplani u ul, agjentët bjellorusë të sigurisë arrestuan blogerin Raman Pratasevich, i cili drejtoi një aplikacion të njohur mesazhes që ndihmoi në organizimin e demonstratave masive kundër Presidentit Alexander Lukashenko, udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë. Ata morën edhe Sofia Sapegan, të dashurën e gazetarit e cila studion në një universitet në Vilnus.

Agjentët me qen kontrolluan avionin dhe bagazhet e pasagjerëve dhe përfundimisht lejuan avionin disa orë më pas të vazhdonte udhëtimin drejt Vilnusit.

Drejtuesi i kompanisë Ryanair Michael O’Leary e përshkroi veprimin si, “një rast rrëmbimi i sponsorizuar nga shteti … pirateri e sponsorizuar nga shteti.”

PSE E BËRI KËTË BJELLORUSIA?

Kjo u bë për të arrestuar gazetarin Pratasevich, një aktivist 26-vjeçar që u largua nga Bjellorusia në vitin 2019 dhe akuzohet nga ai vend për nxitje të trazirave.

Ai ishte bloger si dhe bashkëthemelues dhe redaktor i Nexta, një kanal i njohur në aplikacionin e mesazheve Telegram, i cili ishte një faktor i rëndësishëm në organizimin e protestave në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit 2020.

Lukashenko, i cili ka drejtuar me grusht të hekurt vendin me 9.3 milion banorë për më shumë se një çerek shekulli, u shpall fitues, por opozita dhe disa punonjës të zgjedhjeve thanë se vota ishte manipuluar. Kjo u shoqërua me disa muaj protesta, duke nxjerrë në skenë sfidën më të fuqishme për sundimin e Lukashekos që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 1994 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Autoritetet bjelloruse kanë shtypur brutalisht protestuesit. Më shumë se 34,000 njerëz janë arrestuar që nga gushti, përfshirë aktivistë të opozitës, dhe mijëra të tjerë janë rrahur dhe abuzuar nga policia në përpjekje për të shtypur protestat.

REAGIMI NDËRKOMBËTAR

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti “tronditës” incidentin dhe bëri thirrje për lirimin e gazetarit Pratasevich.

Bashkimi Evropian e thirri në takim ambasadorin e Bjellorusisë për të dënuar aktin kundër avionit të pasagjerëve, i cili po udhëtonte midis dy shteteve anëtare të bllokut.

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen tha se veprimi përbën “rrëmbim” ndërsa Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda e quajti atë, “një akt terrorist të sponsorizuar nga shteti.”

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya i bëri thirrje Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për të filluar hetimet. Organizata më vonë tha se ishte “shumë e shqetësuar nga ulja e detyruar” e avionit.

Një samit i Bashkimi Evropian po shqyrton një përgjigje të fortë, madje edhe pas sanksioneve të mëparshme kundër zyrtarëve bjellorusë të përfshirë në manipulimet zgjedhore të gushtit dhe shtypjen e protestuesve.

Disa udhëheqës evropianë bënë thirrje që Bjellorusisë t’i hiqen të drejtat e fluturimit në BE dhe përjashtimin nga ngjarjet sportive.

Bjellorusia mund të mbështetet nga sponsorizuesi dhe aleati kryesor Rusia, e cila i ka ofruar mbështetje politike dhe financiare qeverisë së Lukashenkos mes protestave. /voa