Çfarë shkatërron vëllazërimin mysliman?

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Kjo temë është shumë aktuale për secilin pasues të ummetit, andaj edhe shtrohet pyetja: përse rrënohet lidhja dhe komunikimi ndërvëllazëror, përse shkatërrohen relacionet ndërvëllazërore?

Ata që e shkaktojnë këtë nuk janë të vetëdijshëm dhe padyshim në zemrat e tyre kanë sëmundje të rënda, të cilat duhet shëruar e këto janë: urrejtja, zilia dhe koprracia.

Këtë vëllazërim ndërmjet myslimanëve e shkatërrojnë:

1. Lakmia ndaj dynjasë dhe zilia ndaj vëllezërve.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj bote me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarëve), e për t’i sprovuar me të, sepse shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm.”(1)

Pejgamberi, s.a.v.s. na mëson në lidhje me zilinë duke thënë:
“Nuk ka zili përveç dy vetëve: njeriut që i ka dhënë Allahu pasuri, dhe ai e harxhon në të vërtetën, dhe njeriu të cilit i ka dhënë urtësi, dhe ai gjykon sipas saj dhe i mëson të tjerët.”(2)

Për shkak të lakmisë disa njerëz në mënyrë të palejuar përpiqen me e grabitur pasurinë e tjerëve, për çfarë shkatërrojnë marrëdhëniet në mes myslimanëve, e të tillë sot ka shumë.

2. Bërja e mëkateve.

Mëkatet i ndajnë vëllezërit. Kur mungon këshillimi ndërvëllazëror dhe zemrat gurëzohen dhe hapen dyert e të keqes, njerëzit okupohen me veten dhe mashtrojnë tjerët. Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s. që shënon imam Ahmedi, ndërsa transmeton Ibn Omeri r.a. që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të cilit është jeta e Muhammedit, nuk duhen dy (mysliman) e pastaj ndahen, përveç mëkatit që ka bërë njëri prej tyre.”

Sot, shohim shumë njerëz, se si punojnë së bashku, shoqërohen dhe janë të lumtur, kur papritur bëhen armiq të njëri tjetrit. Kjo për arsye se miqësia e tyre ka qenë e bazuar në interes, e jo në dashurinë e sinqertë për hire të Allahut të Madhërishëm. Kjo ndërprerje bëhet për shkak të mëkateve ndaj Allahut xh.sh. Mëkatarët largohen nga vëllezërit dhe zhyten edhe më tepër në mëkate.

3. Përgojimi dhe bartja e fjalëve të të tjerëve.

Këto janë sëmundje të rënda që kanë kapluar myslimanët sot. Bisedat dhe ndejat e shumë myslimanëve janë të mbushura me këto sëmundje që këpusin lidhjet në mes veti. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Mos e respekto askë që betohet shumë dhe është i poshtër! Që është përgojues e banë fjalë ndër njerëz.”(3)

Transmeton Sehlibn Sa’d, që Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë:
“Kush më garanton atë që është në mes nofullave dhe në mes këmbëve, unë ia garantoj xhenetin!”(4)

4. Mungesa e kulturës (edebit) të folurit dhe shakatë e pavend.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

“E ti robërve të Mi thuaju: ’Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli ndërsen mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut.’“(5)

Ka të tillë që flasin fjalë të këqija dhe në çdo situate prodhojnë energji negative, e sidomos sharjet, fjalët ofenduese dhe poshtëruese lindin armiqësi ndër vëllazërore dhe rezultojnë me ndërprerjen e çdo komunikimi. Ndonjëherë edhe shakaja e tepruar shkakton ndarje. Pejgamberi, s.a.v.s. është mahitur, por në shaka nuk e ka lënduar askënd. Sa njerëz kanë ndërprerë komunikimin në mes tyre për shkak të shakasë pa vend? Për këtë duhet të bisedojmë bukur njeri me tjetrin, duke mos e ngritur zërin, duke mos folur gjatë, ta dëgjojmë bashkëbiseduesin duke e shikuar në sy dhe fytyrë, sepse në këtë mënyrë tregojmë respekt si dhe të ruhemi nga shakat e tepruara dhe pa vend!

5. Polemikat e panevojshme.

Nga Aisha r.a. transmetohet që Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Më të këqijtë te Allahu janë ata që shumë polemizojnë.”(6) Ndërsa Ebu Umamae r.a. transmetohet që Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Asnjë popull pas udhëzimit nuk ka humbur përveç kur ka filluar me polemizuar!” Pastaj lexoi vërsetin kuranor:
“… Sikur të isha kthyer edhe njëherë e të isha bërë prej atyre bamirësve.”(7)

Sa mysliman sot janë të gatshëm që të polemizojnë për gjëra të parëndësishme duke treguar në këtë mënyrë kryelartësinë e tyre?

6. Pëshpëritja.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“Bisedën e fshehtë e nxitë vetëm djalli për të shqetësuar ata që besuan, ndonëse ajo nuk mund t’i dëmtoj ata fare pa dëshirën e Allahut, andaj vetëm Allahut le ti mbështetën besimtarët!”(8)

Transmeton Ibn Mes’udi r.a. që Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Kur jeni tre veta, mos pëshpëritni dy, pa të tretin, se do ta dëshpëroni!”(9) Shejtani i pëshpërit: “Ata tani po flasin për ty, po përgatisin diçka kundër teje…”

Andaj vëllezër e motra të ruhemi nga rrënimi i vëllazërimit tonë, le të jemi të përgatitur që në emër të Allahut të Madhërishëm të kalojmë nëpër gabimet e vëllezërve tanë, sepse në këtë mënyrë do ta arrijmë mëshirën e Allahut të Madhërishëm dhe do ta kthejmë besimin e atyre që ju kemi bërë të padrejta!

Pejgamberi, s.a.v.s. duke lavdëruar vëllazërimin fetar ka thënë: “Kujt Allahu i dëshiron të mirën ia jep për mik të ngushtë njeriun e mirë, i cili nëse harron, ai e përkujton dhe i tërheqë vërejtjen, e nëse i kujtohet ai i ndihmon që këtë ta futë në praktikë.”(10)

Për vëllazërimin Pejgamberi, s.a.v.s. gjithashtu ka thënë: “Shembulli i dy vëllezërve gjatë takimit është shembulli i duarve që e pastrojnë njëra tjetrën. Asnjëherë nuk takohen dy besimtarë e që Allahu nuk jep që të kenë dobi njëri ndaj tjetrit.”

Bishri ka thënë: “Janë tre lloje vëllezërish, vëllai për ahiret, vëllai për dynja dhe vëllai me të cilin je i kënaqur.” Rrallë këto tre cilësi mund të gjenden te një njeri. Edhe Me’muni ka thënë: “Janë tre lloje të vëllezërve, njëri është si ushqimi- është i domosdoshëm, njëri si ilaçi- të nevojitet kohë pas kohe, dhe i treti si sëmundja- asnjëherë nuk të nevojitet por ndonjëherë sprovohesh me te, d.m.th. nuk ke as kënaqësi e as dobi.”

Disa të tjerë kanë thënë, se shembulli i njerëzve është si shembulli i pemës: disa kanë hije por nuk kanë fruta- e ky është njeriu që shërben në dynja e nuk shërben për Ahiret. Dobia e dynjasë është afat i shkurtër sikurse hija; disa pemë kanë fryte e nuk kanë hije- e ky është njeriu i cili shërben për Ahiret e jo për dynja; disa pemë tjera japin edhe fryte edhe hije- e ky është njeriu që shërben për dynja dhe Ahiret; disa pemë tjera nuk japin as fryte dhe as hije sikurse therrat, shqyejnë rrobat e as nuk kanë shije. Këta janë sikur miu dhe akrepi.

Një i urtë ka thënë: “Kam njohur katër lloje njerëzish me shije të ndryshme:
– i pari është aq i shijshëm sa që nuk mund të ngopesh me te,
– i dyti i ithët, që nuk mund ta shijosh,
– i treti i thartë, dhe merr nga ky aq sa të nevojitet para se thartira do të shkatërroj,
– i katërti i njelmët. Nga ai merr vetëm aq sa të nevojitet,

Xhaferi Sadiku ka thënë: “Mos u shoqëro me pesë veta:
-gënjeshtarin, sepse nuk je kurrë i sigurt me te, është si mashtrim optik- të ofron atë që është larg, dhe të largon atë që është afër,
-të marrin (ahmakun), sepse nga dëshira me të bërë mirë, të bënë dëme,
-koprracin, sepse nuk të jep as nuk të ndihmon kur ke më së tepërmi nevojë
-qyqarin, sepse ai në situatë të vështirë të lenë, të tradhton dhe ikë,
-mëkatarin, sepse të shet për një kafshatë.

Një dijetar ka thënë: „Për shoqëri zgjedhë atë që do të ruaj fshehtësinë tënde, që të jep përparësi në mirëqenie, që do të përhapë veprat tuaja të mira, e t’i mbuloj ato të këqijat. Nëse nuk e gjen të tillë atëherë bëhu mik i vetvetes.

Ali b. Fudajl një ditë qante dhe e pyetën për arsyen. Ai u përgjigj: “Po qaj se më vie keq për atë që më ka bërë zullum. Nesër kur do të qëndroj para Allahut e ta pyes për zullumin e tij ndaj meje, e ai nuk do të mund të mbrohet.”

Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “O njerëz, ka prej jush që e kanë pranuar besimin me gjuhë, por që imani nuk u ka hyrë në zemër! Mos përgojoni myslimanët, mos hulumtoni të metat e tyre, sepse ai që i hulumton të metat e vëllait mysliman, Allahu do t’ia hulumtoj të tijat, e kujt Allahu ia hulumton të metat, do t’ia zbulojë dhe do ta poshtërojë edhe në shtëpinë e tij.”(11)

Gjithashtu, Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Frikësohuni Allahut dhe pajtoni ata që janë në konflikt. Vërtet Allahu do t’i pajtoj besimtarët Ditën e Gjykimit.”(12)

Poashtu, Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është gënjeshtar ai i cili shërbehet me gënjeshtër për të pajtuar dy veta në konflikt, dhe thotë mirë për njërin dhe për tjetrin.”(13)

Ky hadith na obligon të bëjmë pajtimin në mes të vëllezërve, edhe pse dihet se e vërteta duhet të flitet patjetër, në këtë rast obligimin e nënvlerëson ajo që është prioritet, pra pajtimi. Andaj, është detyrim të pajtojmë dy vëllezër mysliman në konflikt, e ne sot hidhërohemi për gjëra të vogla.

Mu për këtë Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “A doni të ju them ç’është më e vlefshme se agjërimi, namazi dhe sadaka (lëmosha)?” I thanë: “Gjithsesi, dëshirojmë.” Ai tha: “Me i pajtu ata që janë në konflikt dhe me u ruajt nga urrejtja sepse ajo është shkatërruese, e me përça dikend është shkatërrim.”(14)
Dhe ka thënë: “Sadaka më e vlefshme është me i pajtuar ata që janë në konflikt.”(15)

Lutemi Allahut të Madhërishëm që të na forcoj në rrugën e islamit, të na ndihmoj ta ruajmë dritën e islamit, të na ruaj nga gjithë ata që shkatërrojnë vëllazërimin tonë islam, të na ruaj nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë, le të na mëshiroj në Ditën e Gjykimit duke na futur në Xhenet, në shoqëri me pejgamberët, të sinqertët, shehidët dhe njerëzit e mirë!

A M I N !

1. Ta Ha, 131
2. Muslimi
3. El Kalem, 10-11
4. Buhariu
5. El Israë, 53
6. Buhariu
7. Ez Zumer, 58; Hadithin e shënon Ahmedi
8. El Muxhadele, 10
9. Buhariu
10. Ebu Davudi, 2932, nga Aisha r.a.
11. Ebu Davudi,4880, nga Ebu Berze me sened të mire. Tirmidhiu,2032, nga Ibu Omeri i cili thotë se është hasen (i mirë).
12. Shënon Hakimi me sened të saktë, Buhariu dhe Ibn Hibbani i karakterizojnë si hadith daif
13. Shënon Buhariu,2692, Muslimi 1o1/2605 nga Umm Kulthum bint Ukbe b. Ebi Mu’it
14. Ebu Davudi, 4919 dhe Tirmidhiu,2509 nga Ebu Derda r.a. dhe është i saktë -sahih
15. Shënon Taberaniu

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Nga arkiva/islamgjakova