Chelsea siguron Disasin

Mbrojtësi Axel Disasi mund të konsiderohet tashmë futbollist i Chelseat, ka shkruar “Sky Sports” të hënën. Skuadra nga Londra ka arritur marrëveshje me Monacon për transferimin e tij, e cila do të bëhet zyrtare gjatë kësaj jave.

Chelsea do të paguajë 40 milionë euro për Disasin, i cili me ekipin e ri do të firmos kontratë pesëvjeçare. Disasi do të jetë përforcimi i tretë i madh i Chelseat këtë verë pas sulmuesve Nicolas Jackson e Christopher Nkunku.

25-vjeçari ishte pjesë e Monacos prej vitit 2020, ndërsa karrierë në Francë ka bërë edhe te skuadra e Reimsit.

Edicionin e shkuar ishte ndër mbrojtësit më të vlerësuar në kampionat, ndërsa për Monacon regjistroi 49 paraqitje, ku shënoi edhe 6 gola e bëri 4 asistime. Disasi ka edhe katër ndeshje të luajtura me Përfaqësuesen e Francës.