Civilët në Izium, në lindje të Ukrainës, “janë në prag të një fatkeqësie humanitare”, ka thënë Amnesty International të mërkurën, raporton Guardian.
Organizata ka intervistuar banorët e evakuuar nga qyteti i cili është rrethuar nga forcat ruse.
Marie Struthers, drejtoreshë e Amnesty International për Evropën ka thënë se “dëshmitë që kemi mbledhur nga Iziumi kanë zbuluar terrorin e përjetuar nga civilët e qytetit, të bllokuar në bodrumet e tyre me pothuaj fare ushqim e ujë, dhe nën sulm të vazhdueshëm”.
“Iziumi dhe qytetet e tjera tani urgjentisht kanë nevojë për korridore humanitare për të mundësuar evakuime të sigurta të civilëve që duan të largohen, dhe dërgesat humanitare për ata që mbeten aty”, ka thënë ajo.







