Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ç’mesazh ka përcjellë sot Rama me këta gurë?

Ç’mesazh ka përcjellë sot Rama me këta gurë?

Gjesti mund të lexohet si një tjetër ftesë për bisedime ose si shenjë e qëndrueshmërisë së pushtetit

Para godinës së Kryeministrisë janë vendosur sot disa gurë dekorues, të shoqëruar me fjalën “dialog”, në vazhdim të përpjekjeve të Edi Ramës për të përcjellë mesazhin se mbetet i gatshëm të bisedojë me protestuesit.

Dy ditë më parë, kryeministri kishte vendosur karrige para godinës, duke i ftuar të rinjtë të uleshin dhe të diskutonin me të. Por përgjigjja e tyre ishte refuzimi, ndërsa pasditen e djeshme karriget përfunduan në flakë, në një gjest revolte kundër qeverisë.

Sot, në vend të tyre, janë shfaqur gurët, duke i dhënë këtij komunikimi një tjetër dimension simbolik. Ndërkohë, për sot është paralajmëruar një protestë para parlamentit, ku pritet të zhvillohet seanca plenare, ndërsa Rama ndodhet në Budva të Malit të Zi për një takim zyrtar.

Por çfarë kërkon të thotë kryeministri me këtë ndryshim të skenografisë? Interpretimet mund të jenë të ndryshme, në varësi të këndvështrimit nga i cili lexohet gjesti.

Interpretimi i parë mund të jetë se, pas dy përpjekjeve të dështuara me karriget, Rama po u ofron protestuesve gurët si stola. Një ftesë e pazakontë për dialog, ku guri mund të simbolizojë vendosmërinë e tij për të mos hequr dorë nga bisedimet.

Ndryshe nga karriget, që mund të thyhen e të digjen, gurët janë më të vështirë për t’u dëmtuar. Për t’i shkatërruar, duhet t’i godasësh fort, derisa të bëhen copëra. Në këtë lexim, kryeministri mund të jetë duke thënë se vullneti i tij për dialog nuk thyhet lehtë.

Interpretimi i dytë është më politik: pozicioni im si kryeministër është i fortë si guri dhe nuk lëviz, pavarësisht protestave, zemërimit të të rinjve dhe kërkesave për ndryshim. Në këtë rast, gurët nuk janë më vende për t’u ulur, por një metaforë e pushtetit që kërkon të tregojë se qëndron i palëkundur përballë presionit të rrugës.

Ekziston edhe një lexim i tretë, më ironik, sidomos kur ky është provokimi i tretë radhazi në emër të dialogut: të përpiqesh të flasësh me ju është njësoj si të flasësh me gurin.

Pra, dialogu është i pamundur, sepse asnjëra palë nuk dëgjon tjetrën. Në këtë rast, gjesti mund të lexohet si një thumb ndaj protestuesve, sikur përgjegjësia për mungesën e komunikimit të jetë vetëm e tyre.

Pra gurët mund të jenë njëkohësisht ftesë, sfidë dhe ironi. Por simbolika nuk e zëvendëson dialogun e vërtetë. Dy herë karriget u refuzuan dhe një herë u dogjën.

Nëse Rama dëshiron të bindë të rinjtë se ftesa e tij është serioze, pyetja nuk është se çfarë vendos para Kryeministrisë, por çfarë është i gatshëm të dëgjojë dhe të ndryshojë përballë kërkesave të tyre.

Sepse, në politikë, gurët mund të shërbejnë si simbole, por nuk mund të ulen në vend të njerëzve për të zgjidhur një konflikt. /tesheshi.com/