Daja pas fitores: Këta djem nuk dorëzohen

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka vlerësuar lartë paraqitjen ndaj Ludogoretsit. Por ai ka thënë se nuk ka përfunduar ende asgjë. Megjithatë, ai pas ndeshjes u shpreh shumë i lumtur me fitoren dhe me paraqitjen e ekipit.

“Kemi luajtur një pjesë të parë perfekte. Skuadra kundërshtare nuk kishte asnjë shans. Kemi bërë mirë edhe me qarkullimin e topit. Me pesë ndërrimet e tyre ramë pak fizikisht. Por këta djemë nuk dorëzohen kurrë. Kanë karakter. E thash në mënyrë figurative që e japin shpirtin në fushë. Dhe kjo ndodhi. Nuk është e pakët që në 70 për qind të kohës të jesh mbi kundërshtarin, duke ditur se çfarë kundërshtari kishim përballë”,ka thënë Daja.

“Vjet shumica e lojtarëve kanë luajtur për herë të parë në Champions dhe ishte përgjegjësi shumë e madhe. Me Zhalgirisin na ka munguar vetëm fati. Pasi kemi pasur raste më shumë se në ndeshjet e kampionatit. Por ky është futbolli. Sot ishim efikas. Kemi pasur edhe raste tjera për të ngritur rezultatin. Jemi të kënaqur me lojën dhe me rezultatin”, ka shtuar Daja.