DASH: Të gjithë të përfshirët në sulmin në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) pret që të gjithë të përfshirët në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të sillen para drejtësisë.

Në sulmin terrorist u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u lënduan tre zyrtarë policorë.

Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, është pyetur të martën në konferencë për media në lidhje me arrestimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

“Ne kemi parë raportet, nuk do të shkojmë para hetimeve, ne e dimë se sulmet ishin mirë të koordinuara dhe planifikuar. Dhe të gjithë që ishin të përfshirë në planifikim dhe ekzekutim të këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha Patel.

Radoiçiq të mërkurën është liruar nga autoritetet serbe. Atij është thënë se i është ndaluar shkuarja në Kosovë.

Patel është pyetur edhe për raportimet “për tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën”.

“Kemi vërejtur disa tërheqje të forcave dhe pajisjeve që nga thirrja jonë më 29 shtator. Presim që Serbia të marrë hapa tjerë të depërshkallëzimit dhe të vazhdojë me tërheqjen e trupave”, ka thënë Patel.