Demarkacioni, dështimi trevjeçar i Kosovës

Po bëhen tre vjet prejse Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit. Megjithatë, pavarësisht se kjo marrëveshje tashmë është ratifikuar nga Parlamenti i Malit të Zi, në Kosovë ende vazhdon të mbetet çështje e hapur.

Marrëveshja e 26 gushtit 2015 e nënshkruar në Vjenë u bë pikë konfrontimi mes pozitës e opozitës së atëhershme.

Përderisa PDK-ja e LDK-ja, dy partitë që ishin në qeverisje, kërkonin miratimin e saj, lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja e Nisma kundërshtonin fuqishëm një gjë të tillë. Por, gjithçka ndryshoi kur dy partitë e fundit erdhën në pushtet.

AAK-ja e Nisma tash po kërkojnë të miratohet kjo marrëveshje, mirëpo lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lista Serbe nuk po e mbështesin marrëveshjen në fjalë.

Si rrjedhojë, koalicioni PAN dështoi tri herë ta ratifikojë këtë marrëveshje brenda një jave të vetme. Njëjtë kishte dështuar edhe Qeveria e kaluar, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Qeveria Mustafa para dy vjetësh e kishte tërhequr nga rendi i ditës Marrëveshjen pasi që nuk i kishte numrat për ta votuarshkruan sot Gazeta “Zëri”.

Megjithatë, pak para se Demarkacioni të bëhej shkas për rrëzimin e Qeverisë Isa Mustafa kishte provuar ta dërgonte sërish për votim këtë marrëveshje, por kishte dështuar, pasi atë kohë ministrat nga PDK-ja nuk patën marrë fare pjesë në mbledhjen e Qeverisë.