Demarkacioni e “përçanë” koalicionin qeverisës: Veseli kundër Haradinajt & Limajt

Kosova duhet t’i shënjojë sa më shpejtë vijat e saj kufitare, përfshi edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë, ka deklaruar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Këto komente, ai i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku çështja e Demarkacionit nuk ishte diskutuar, por më shumë ishte ngritur si temë pas takimit nga ana e mediave.

Veseli tha se çështja e kufirit është çështje shtetërore dhe jo partiake. Kurse vonesat, ka nënvizuar ai, dëmtojnë shtetin.

“Sa më shumë vonohemi, aq më shume po e dëmtojmë shtetin tonë. Duhet t’i shënjojmë kufijtë se është çështje e sovranitetit. Duhet të përfundojmë me Malin e Zi e të kalojë te Serbia”, tha Veseli.

Veseli i ka komentuar edhe pozicionet e ndryshme të partive politike dhe deputetëve veç e veç, dhe dilemave nëse me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vendi rrezikon të humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

“Ky nuk është qëndrim politik, por nëse më pyesni si shqiptar, kufiri do të duhej të mbrohej në Ulqin e Shkup. Pra, nëse duhet qëndrim emocional. Ky nuk është qëndrim politik. Leni ato pallavra”, tha Veseli, duke kundërshtuar ata që po e mbajnë peng ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.

Çështja e Demarkacionit shihet ndryshe nga secila parti politike, pavarësisht nëse është pjesë e pushtetit apo opozitës.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, Kadri Veseli do ta votojë Demarkacionin, kundër kësaj marrëveshjeje paraqiten dy partitë tjera në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Deputeti Bilall Sherifi nga Nisma tha se ky subjekt politik nuk do ta votojë marrëveshjen.

“Nisma e ka bërë të qartë se këtë marrëveshje nuk do ta votojmë”, tha Sherifi.

Sipas tij, dallimet në Qeveri rreth Demarkacionit nuk duhet ta habisin askënd pasi që secila parti politike i mbron qëndrimet e veta.

Me këto deklarime, koalicioni qeverisës është krejtësisht i ndarë sa i përket demarkacionit dhe kjo duket se e ka shtuar nervozizmin brenda aleatëve.

Në një anën e kemi të pozicionuar Kadri Veseli si kryetari i partisë më të madhe brenda koalicionit, kurse në anën tjetër janë bashkë Haradinaj dhe Limaj, njëri kryeministër e tjetri zv/kryeministër.

Nëse i marrim këto qënderime, atëherë mund të konstatohet për një krizë në koalicion, edhe pse kjo po tentohet të amortizohet nga drejtuesit e partive pjesë e qeverisë.

Të kujtojmë se edhe qeveria e kaluar e drejtuar nga Isa Mustafa, qeveria e koalicionit PDK-LDK ishte rrëzuar pikërisht për shkak të problemeve me demarkacion.