Dendias: BE të ruajë dinamikën e zgjerimit

Nikos Dendias

Gjithë Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë i përkushtuar ndaj kursit evropian dhe t’u kthejnë shpinën forcave të izolimit dhe destabilizimit dhe ne i bëjmë thirrje BE-së që të ruajë dinamikën e procesit të zgjerimit, për të mos lejuar që vendet e rajonit të kthehen në të kaluarën e tyre, deklaroi ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën ”Vradhini”.

Në këtë intervistë, Dendias theksoi se ”e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa perspektiva evropiane dhe vetë procesi i anëtarësimit është ajo që do t’u sigurojë vendeve dhe popujve të rajonit stabilitet, zhvillim ekonomik, prosperitet dhe reforma demokratike”.

”Ne shpresojmë gjithashtu në vazhdimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me cilëndo qeveri të dalë nga proceset e brendshme në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

”Për Marrëveshjen e Prespës dua të theksoj se në shoqëritë demokratike qeveritë vijnë dhe shkojnë, por detyrimet mbeten”, shtoi Dendias. /atsh