Deputeti Kamberi për seancën e Parlamentit të Serbisë: Rrëmujë dhe albanofobi

Me debate të ashpra e tensione, deri në vërsulje për qërim hesapesh, është përshkuar sot seanca e Kuvendit të Serbisë, ku u debatua lidhur me Kosovën.

Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, ka thënë se në këtë seancë ishte përsëritur retorika e viteve ’90-ta.

“Rrëmujë. Albanofobi. Mungesë elementare e sensit për realitetin në Kosovë. Kështu do të kisha cilësuar seancën e sotme në parlamentin e Serbisë. Retorika e viteve të 90-ta në skenë”, ka shkruar Kamberi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Në këtë seancë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se vendi i tij do të përballet me pasoja të rënda nëse refuzon një plan perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Fjalimi i tij në parlamentin e Serbisë u ndërpre në disa raste nga deputetët e opozitës që e akuzuan presidentin serb për tradhti dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Senaca u përfshi edhe nga përplasjet ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë së presidenti serb.

Duke kritikuar partitë opozitare për siç tha mosveprim ndaj çështjes së Kosovës derisa ishin në pushtet, presidenti serb tha se do t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Presidenti serb, ka lënë të kuptohet se do të pranojë propozimin evropian një qasje që u vlerësua nga Shtetet e Bashkuara.