Dërgesa e parë e grurit ukrainas niset nga porti i Odesës – VIDEO

Një anije që transportonte grurë është larguar nga porti ukrainas i Odesës, për herë të parë që nga fillimi i luftës, raporton transmetuesi CNN Turk, duke cituar Ministrinë turke të Mbrojtjes.

Pas një marrëveshjeje për t’i dhënë fund bllokadës së drithit, anija e mallrave ”Razoni”, e ngarkuar me grurë dhe misër dhe që lundronte nën flamurin e Sierra Leones, është nisur nga porti ukrainas për në Liban.

Ukraina dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje së bashku me OKB-në dhe Turqinë për të eksportuar drithërat nga tre porte ukrainase të Detit të Zi.

Të dy vendet janë furnizuesit kryesorë të produkteve ushqimore në mbarë botën përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në shkurt.

Rusia është akuzuar për bllokimin e eksporteve dhe armatimin e urisë mes një krize ushqimore të afërt.

Moska mohon se është përgjegjëse për rritjen e çmimeve të ushqimeve, në vend të kësaj duke fajësuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. /atsh