Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal nuk ka përfillur kërkesën e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës në një komunë dhe nuk ka lejuar që kërkesa të kalojë te Qeveria e Kosovës.
“Nuk bashkohet Mitrovica” është përgjigjja të cilën Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ia ka dhënë kryetarit të Komunës Jugore Agim Bahtirit, i cili edhe e kishte iniciuar idenë për bashkimin e Mitrovicës pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës Veriore Goran Rakiq.Bahtiri para dy javësh pati thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, në të cilën kishte kaluar iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës në një komunë.
Bahtiri kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shfuqizojë vendimin për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna dhe ribashkimin e qytetit pas vendimit të pjesës veriore që të ndërpresë komunikimin me Republikën e Kosovës.Kërkesën Bahtiri e kishte dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ministër i së cilës është Ivan Teodosijeviq, kryetar paralel i Zveçanit dhe kishte kërkuar që atë ta përcjellë te Qeveria e Kosovës. Por Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ka stopuar kërkesën e Bahtirit dhe ka njoftuar Komunën e Mitrovicës dhe kryetarin Bahtiri se kërkesa e tij është shqyrtuar përbrenda MAPL-së.Me këtë përgjigje nuk është pajtuar Bahtiri, i cili ka reaguar nëpërmes një deklarate të hënën.
Ai ka thënë se kërkesa i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe jo Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.“Ia bëj me dije MAPL-së se nuk keni të drejtë ta shqyrtoni në brendësi kërkesën tonë, për arsye se nuk u është drejtuar institucionit të tyre (MAPL-së), por i është drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe ata pa të drejtë kanë stopuar kërkesën tonë drejt rrugës së Qeverisë së Kosovës e kjo nënkupton një frymë politike dhe aspak profesionale.
MAPL-ja, e cila monitoron edhe kuvendet komunale për vendimet e marra dhe në bazë të ligjit kthen edhe konfirmimet për ligjshmëritë e vendimeve, por nuk ka të drejtë të stopojë ligjërisht një kërkesë, e cila i adresohet një organi tjetër për shqyrtim pa e shikuar thellësinë e kërkesës”, thuhet mes tjerash në reagimin e Bahtirit, shkruan “Zëri”.Ai më tej ka paralajmëruar se nëse kërkesa nuk merret parasysh do të organizojë peticion për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve të Mitrovicës.
“Nuk do të ketë organ që do ta ndalë iniciativën dhe vullnetin e mirë të qytetarëve që kjo kërkesë të delegohet tek organet kompetente, të thirrura për miratimin e ligjeve të Kosovës. Po ju paralajmëroj që nëse kjo kërkesë pengohet joligjërisht, atëherë do t’u drejtohem qytetarëve për realizimin e një peticioni i cili do të ketë me qindra e mija nënshkrime. Këtë gjë nuk kam dashur ta bëj më herët sepse unë kam zgjedhur mënyrën institucionale ku përmes Kuvendit Komunal, i cili përfaqëson edhe zërin e qytetarëve, këtë kërkesë e kemi adresuar tek institucionet qendrore”, ka thënë ai.
Të njëjtat fjalë Bahtiri i ka shprehur edhe në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, që është mbajtur të hënën. Kryetari Bahtiri ka ripërsëritur se i kishte ofruar ndihmë tashmë ish-kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, por ai nuk kishte përfillur asnjë nga kërkesat e shqiptarëve në veri.Bahtiri madje ka akuzuar Rakiqin gjersa ka përmendur faktin se ura e Ibrit nuk po hapet pikërisht për shkak të obstruksioneve të Rakiqit. Bahtiri ka thënë gjithashtu se nga veriu i Mitrovicës janë shpërngulur mbi 15 mijë shqiptarë, të cilët jetojnë në jug si refugjatë në qytetin e tyre.“Rakiq ka qenë çdoherë ai që nuk i ka përfillur kërkesat tona dhe të qytetarëve, ku shqiptarë janë shumicë. E di që 15 mijë shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. A ka më vështirë të jesh refugjatë në komunën tënde.
Jam në një situatë tejet të rëndë. Nuk ka më vështirë se ta shohësh shtëpinë tënde e të mos banosh aty. Rakiq nuk ka lejuar që shqiptarët të kthehen në shtëpitë dhe në banesat e tyre në veri të Mitrovicës”, ka ripërsëritur kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri.








