Dështon seanca gjyqësore për rastin e “Veteranëve”

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin e njohur si “Veteranët”.

Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka lejuar futjen e avokatëve në Pallat të Drejtësisë, në mungesë të kartelave të anëtarësisë për vitin 2020 që lëshohen nga Oda e Avokatëve.

Nga informatat që kanë përcjellë avokatë, thuhet se Oda ka përcjellë një urdhër në Gjykatën Themelore të Prishtinës për mos lejimin e atyre.

Kjo ka bërë që mes tjerash të dështojë edhe seanca në rastin e Veteranëve, pasi nuk është lejuar hyrja e avokatit Ramë Gashi që në këtë rast përfaqëson Agim Çekun, raporton KTV.

Një ndalesë të tillë, e ka konsideruar fyerje për profesionin e avokaturës Arianit Koci, që në këtë rast përfaqëson të akuzuarin Shkumbin Demaliaj. Për më tepër Koci, ka fajësuar edhe Gjykatën që ka zbatuar një urdhër të Odës së Avokatëve. Në të kaluarën, hyrja e avokatëve në Gjykata në muajin e parë të vitit të ri, është mundësuar me kartela të vitit paraprak ka thënë Koci.

Hyrja e avokatëve, më vonë është lejuar nga Gjykata, por në sallë përveç avokatit Ramë Gashi, pa prezencën e të cilit i akuzuari Agim Çeku nuk ka dashur të vazhdojë seancën, kanë munguar edhe mbrojtësit e dy të akuzuarve të tjerë.