Dështon zgjedhja e drejtorit të RTK-së, procesi kthehet në pikën zero

Anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e drejtorit të RTK-së duke kthyer procesin në pikën zero, bëhet e ditur në një komunikatë për media të këtij bordi të martën.

Sipas Bordit të RTK-së, vota kundër secilit kandidat ka ardhur për shkak të “mungesës së bazës së qartë ligjore që do të garantonte përfundimin e procesit”.

Në arsyetim, Bordi i RTK-së ka thënë se deri tash në çdo konkurs publik i është referuar një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për drejtor të përgjithshëm, sipas Bordit, është vënë re që zbatimi i udhëzimit në këtë proces është problematik sepse bie ndesh me Ligjin për RTK-në.

“Udhëzimi përcakton se vetëm tre anëtarë mund të jenë në komisionin vlerësues dhe vlerësimin final ia dërgojnë bordit për aprovim, ndërkaq Ligji për RTK-në e thotë qartë se Drejtori i RTK-së duhet të emërohet me 2/3 të votave të anëtarëve të bordit dhe përcakton qartë se anëtarët e bordit nuk duhet të ndikohen nga asnjë palë në vendimin e tyre, pra as nga një komision i tillë prej tre anëtarëve. Megjithatë, duke zbatuar dhe respektuar Ligjin për RTK-në, bordi ka vendosur që të gjithë anëtarët të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën. Por, duke shikuar këtë praktikë, bordi ka hasur edhe në anomali tjera ligjore përgjatë procesit. Në proceset e njëjta të bordeve të kaluara, të gjithë anëtarët kanë qenë në komisionin vlerësues, dhe po të njëjtit anëtarë kanë qenë edhe në komisionin për shqyrtimin e ankesave. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër ligjore, kjo për bordin aktual është e papranueshme, sepse është shkelje ligjore që i njëjti komision të vlerësojë kandidatët dhe i njëjti të shqyrtojë ankesat eventuale të tyre. Prandaj, Bordi konsideron se kjo praktikë ka qenë dhe është në mospërputhje me Ligjin për RTK-në dhe Udhëzimin Administrativ të lartcekur”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.

Bordi ka thënë se do të kërkojë nga menaxhmenti krijimin e një grupi punues për krijimin e një rregulloreje të veçantë dhe që në afat sa më të shpejt të rishpallet konkursi për drejtor.

Deri në rishpalljen e konkursit Shkumbin Ahmetxhekaj do të mbetet ushtrues detyre i drejtorit.