Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 51 palestinezë dhe kanë plagosur qindra të tjerë në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, ndërsa qytetarët ishin mbledhur për të marrë ndihma ushqimore, sipas autoriteteve palestineze.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, incidenti ndodhi të martën në mëngjes, kur ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj turmës përgjatë një rruge kryesore lindore. Spitali Nasser në Khan Younis raportoi se shumë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Bassal, tha se mbi 200 persona janë plagosur. Sipas tij, “dronë izraelitë qëlluan mbi civilët, e më pas tanke izraelite hodhën predha që shkaktuan numër të madh viktimash.”
Dhuna ndodhi pranë një qendre të shpërndarjes së ndihmave të organizatës Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e cila operon me mbështetjen e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo organizatë nisi shpërndarjen e ndihmave në fund të majit, pasi Izraeli hoqi pjesërisht bllokadën thuajse tre-mujore.
Dëshmitarët flasin për skena tmerri. “Dhjetëra civilë u vranë, përfshirë fëmijë, dhe askush nuk mund t’i ndihmonte,” tha Saeed Abu Liba, një nga të mbijetuarit. Një tjetër dëshmitar, Yousef Nofal, e përshkroi ngjarjen si “masakër” dhe tha se trupat e të plagosurve ishin kudo në tokë.
Gazetari i Al Jazeera-s, Tareq Abu Azzoum, raportoi nga qendra e Gazës se shumë prej trupave janë “të paidentifikueshëm”, pasi janë “copëtuar” nga sulmet.
Kjo është dita më vdekjeprurëse që nga hapja e qendrave të GHF, me më shumë se 50 të vdekur, pas 38 të vrarëve një ditë më parë në zonën Rafah.
Më shumë se 300 palestinezë janë vrarë dhe mbi 2,000 janë plagosur që nga fillimi i shpërndarjes së ndihmave nga GHF, sipas raporteve.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, ka dënuar ashpër vrasjet dhe ka kërkuar hetime të menjëhershme dhe të pavarura për sulmet ndaj civilëve që përpiqen të sigurojnë ushqim.
Izraeli nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për incidentin. /mesazhi








