Dimitrov: Evropianizimi duhet të vazhdojë

Nikolla Dimitrov

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov tha se Bullgaria mund të vë veto në fillimin e bisedimeve aderuese me Bashkimin Evropian por se askush nuk mund të na vë veto mbi axhendën tonë të brendshme reformuese, raporton Anadolu Agency (AA).

Dimitrov sot mbajti konferencë online për media ku prezantoi Programin kombëtar për miratimin e së drejtës të Bashkimit Evropian (2021-2025) (NPAA).

Dimitrov theksoi se Programi kombëtar përcakton drejtimet strategjike, përparësitë, dinamikat dhe resurset e nevojshme si dhe aktivitetet për përshtatjen e institucioneve kombëtare ndaj strukturave administrative evropiane.

Qëllimi kryesor i Programit kombëtar, siç theksoi Dimitrov, është të vizatojë trajektoren kombëtare për evropianizimin e plotë ose anëtarësimin e plotë në BE.

Dimitrov shtoi se në kushtet e dy dekadave të pasigurisë dhe pritjes së vazhdueshme, Programi kombëtar ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ruajtur tensionin pozitiv në proces pa filluar negociatat.

“Si porosi politike do të doja të theksoja se një shtet anëtar, Bullgaria, mund të vë veton në fillimin e negociatave aderuese, miratimin e kornizës së negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por askush nuk mund të na vë veto mbi axhendën e brendshme reformuese. Evropianizimi duhet të vazhdojë”, tha Dimitrov.

Mes tjerash, ai tha se në koordinim të Sekretariatit për Çështjet Evropiane (SÇE) mbi Programin kombëtar punojnë rreth 800 nëpunës shtetërorë dhe rreth 150 institucione.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me deklaratën e sekretares shtetërore portugeze për Çështje Evropiane, Ana Paula Zakariash lidhur me gjuhën maqedonase, Dimitrov tha se deklarata e saj nëse është transmetuar saktë, si për nga thelbi ashtu edhe për nga metodologjia është tërësisht e kundërt nga propozimi portugez për gjetjen e zgjidhjes.

Ai thekson se deklarata assesi nuk ndihmon në procesin e ndërtimit të besimit dhe mirëkuptimit të përbashkët dhe se është një deklaratë fatkeqe.

Dimitrov potencoi se dje ka pasur shumë kontakte me Lisbonën. “Ne u siguruam se deklarata absolutisht nuk pasqyron pozicionin e Lisbonës, e cila mbetet në përputhje me propozimin portugez. Dhe u shpreh keqardhje në këtë drejtim”, tha ai.

Ministri Dimitrov thotë se Maqedonia e Veriut do të hyjë në Evropë si vend i maqedonasve që flasin maqedonisht dhe se kjo do të mbrohet me dinjitet. /aa