Distria e artë në Lojërat Mesdhetare

Ashtu siç pritej, xhudoja i ka siguruar medaljen e parë Kosovës në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë. Madje medalja e parë është e artë. Atë e ka fituar xhudistja Distria Krasniqi, kampionia olimpike nga Tokio 2020.

Distria të mërkurën garoi në kategorinë deri 52 kilogramë. Ishte bartësja e parë dhe nuk lejoi befasi. Medalja e artë në Lojërat Mesdhetare as për së afërmi nuk është prej më të mëdhave në karrierën e Distrisë. Por për Kosovën ka vlerë të madhe. Kosova tashmë ka garuar me dhjetëra sportistë në Oran dhe nuk kishte medalje të fituar. Ka pasur shpresa për medalje në sporte tjera, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Për të siguruar intonimin e himnit të Kosovës dhe ngritjen lartë të flamurit, sërish u kujdesën xhudistët e trajnerit Driton Kuka.

Si bartëse e parë, Distria ishte e lirë në xhiron e parë. Në xhiron e dytë, përkatësisht në çerekfinale e mposhti qiprioten Sofia Asvesta. Ndërkohë në gjysmëfinale e kaloi spanjollen Ana Perez Box. Ndaj të dyjave realizoi herët “Waza-ari” dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund. Nuk u rrezikua për asnjë moment.

Në finale, Distria e kishte përballë kroaten Ana Viktorija Puljiz. Puljiz ishte bartëse e tretë. 20-vjeçarja është në momentin më të mirë në karrierën e deritashme. Në fund të prillit fitoi medaljen e bronztë evropiane, njëjtë si Distria. Me xhudisten tonë ishte përballur në fund të janarit në Portugali dhe kishte pësuar humbje.

Në finalen e Lojërave Mesdhetare, Distria ishte bindëse. Shkëlqeu. Realizoi dy hedhje të bukura për fitore të shpejtë me Ippon.

Distria të artën mesdhetare e kishte fituar edhe para katër vjetësh në Tarragona të Spanjës. Ajo ka medalje të artë olimpike, medalje të bronztë botërore, katër medalje evropiane e shumë e shumë medalje tjera në garat e xhudos dhe ato shumësportëshe. Dhe pres saj priten edhe shumë suksese të tjera.