Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut

Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut bota vazhdon të përballet me shkeljen e këtyre të drejtave, madje kisha me thënë se këto shkelje në vitet e fundit janë më flagrante dhe më të mëdha se që kanë qënë para 10 apo 20 vitesh.

E tërë bota, dhe sidomos veprimtarët dhe institucionet që merren me avancimin e të drejtave të njeriut kanë regjistruar këto vite të fundit kthim prapa sa i përket këtyre të drejtave. Popuj dhe shoqëri të ndryshme gjithandej globit duke vepruar dhe shpresuar se këto vitet e fundit ishte koha t’i realizojnë ëndrrat e tyre të kahmotshme për liri, demokraci dhe më shumë të drejta, levizën, sakrifikuan dhe bënë hapat konkret për t’i realizu të njejtat dhe duke llogaritur në përkrahjen ndërkombëtare të Institucioneve të KB, KS, BE dhe Shteteve të mëdha demokratike. Por, për befasi të këtyre popujve të vuajtur, këto institucione dhe shtete ndërkombëtare jo vetëm që nuk i përkrahën, jo vetëm që nuk qëndruan neutrale, por të njejtat edhe pas shuarjes së këtyre kryengritjeve dhe revolucioneve me dhunë dhe vrasje të mijra grave, burrave e fëmijve nga ana e diktaturave shumdekadëshe, këta ua shtruan tepihin e kuq dhe i pritën Presidentët dhe Përfaqësuesit e këtyre diktaturave dhe nuk dëgjuan zërin e as ofshamat e këtyre popujve liridashës dhe të etur për drejtësi, barazi dhe dinjitet njerëzor.
Madje madje këto ditë me të drejtë Komuniteti Rohingija të Mijanmarit kanë ngritur Padi miliarda dollarëshe, kundër facebook-ut i cili u bë bashkpjesmarrës i krimeve monstruoze të Qeverisë diktatoriale kundër këtij Komuniteti dhe atë me lejimin dhe moscenzurimin e postimeve dhe video postimeve përmes të cilave qarqet qeveritare ftonin përkrahësit e tyre për dhunë dhe vrasje të komunitetit Rohingija!
Shkelje të të drejtave të njeriut po ndodhin edhe në shtetet demokratike perëndimore, ku po hasim kthim prapa dhe assesi avancim të të drejtave dhe lirive të njeriut, e që kjo është dëshmuar me qëndrimin që patën dhe po e kan këto shtete ndaj emigrantëve, njerëzve me ngjyrë dhe muslimanëve. Shembujt e mohimit dhe shkeljes së të drejtave të të njejtëve janë të shumta dhe në këtë aspekt prinë shteti ku llogaritet se ka filluar i pari në Evrope të realizon të drejtat dhe liritë e njeriut që nga fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek.XIX e që është Franca, ku njerëz të ekstremit të djathtë si rasti i Eric Zemmour i shpreh hapurazi idetë fashiste, ekstremiste dhe islamofobe kundër muslimanëve, edhe atë duke konkuru si kandidat i mundshëm për postin presidencial!
Tek ne jemi dëshmitar se edhe pas 30 viteve të demokracisë në Shqipëri dhe 22 viteve nga shporrja e Serbisë nga Kosova, vazhdojmë të përballemi me shkelje të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut e madje edhe me vrasje të tipit të asaj çfarë bëri para ca kohëve polici shqiptar ndaj 25 vjeçarit Klodian Rasha, i paarmatosur dhe i parrezikshëm për organet e rendit.
Në Kosovë vazhdojmë të ballafaqohemi me mohim të të drejtave elementare të praktimit të fesë në Institucionet Publike e që na kujtojnë se institucionet tona ende nuk janë liruar tanësisht nga mendësia moniste.
Madje, edhe gjyqësia, me vite të tëra, vazhdoi t’i trajtojë në mënyrë selektive dhe me efikasitet jashtëzakonisht të ulët rastet e ndryshme të mohimit të lirisë së asociimit në OJQ. Po ashtu, me vite të tëra vajzat dhe gratë besimtare ndalohen pa bazë ligjore nga veprimtaria dhe manifestimi e praktikimi i fesë në institucionet publike. Megjithate kohëve të fundit, kemi edhe disa hapa pozitiv në aspektin e gjykimit në favor të individëve që u është shkelur e drejta e punës dhe praktikimit të fesë në institucione publike. Rasti i përjashtimit nga puna të polices Indira Mujaj për shkak të shamisë është trajtuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo Gjykatë, ka marrë vendim të favorshëm për Indira Mujajn, duke e obliguar policinë që të kthejë Indirën në vendin e punës dhe t’ia kompenzojë pagat e papaguara nga viti 2018 e tutje.
Ua përkujtojmë të gjithëve edhe një herë Deklaratën Universale të të Drejtave të njeriut (DUDNj) e cila është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris. Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qënieve njerëzore.
Pritshim vite me të drejta të njeriut më të avancuara në vendin tonë dhe gjithandej globit.

Nga Hoxhë Husamedin Abazi