Ballina Artikuj Ditën kur djersa do të rrjedhë me shumicë

Ditën kur djersa do të rrjedhë me shumicë

Nuk janë çastet më të vështira të njeriut ato që ai përjeton në këtë botë, sepse çdo sprovë, fatkeqësi apo brengë në të pasohet nga çlirimi ose nga vdekja që i jep fund. Ndërsa brenga që nuk ka të krahasuar me asnjë brengë tjetër është ajo skenë madhështore e Ditës së Kiametit, kur të gjitha krijesat do të qëndrojnë para Allahut, Zotit të botëve, zbathur, të zhveshur, të pa bërë synet dhe të grumbulluar, duke pritur gjykimin dhe vendimin. Zemrat do t’u arrijnë në fyt, vapa e madhe e diellit mbi kokat e tyre do të shtohet dhe djersa do të derdhet mbi njerëzit, ashtu siç na ka njoftuar i sinqerti dhe i besueshmi, Profeti (a.s): “Dielli do t’u afrohet krijesave Ditën e Kiametit, derisa të jetë prej tyre sa një milje. Njerëzit do të jenë në djersë, sipas veprave të tyre: disa do ta kenë djersën deri te kyçet e këmbëve, disa deri te gjunjët, disa deri te ijët, ndërsa disa të tjerë do të mbulohen plotësisht nga djersa.”

Ajo është një pamje që trondit zemrat e shkujdesura, zgjon shpirtrat e zhytur në dëfrime dhe i rikthen përparësitë në jetën e besimtarit në vendin e tyre; sepse ai që është i bindur për ardhjen e asaj dite nuk mashtrohet nga stolitë e kësaj bote dhe as nuk gënjehet nga shpresa e gjatë.

Ky hadith paraqet një nga skenat më madhështore të drejtësisë hyjnore: njerëzit do të jenë në të njëjtin vend dhe nën të njëjtin diell, por do të dallojnë jashtëzakonisht shumë nga njëri-tjetri; jo sipas pozitave, pasurive apo prejardhjes së tyre, por sipas veprave të tyre. Atij që pesha e gjynaheve i është lehtësuar dhe që ka grumbulluar një pasuri të madhe besimi dhe bindjeje, do t’i lehtësohet edhe brenga; ndërsa atij që gjynahet, padrejtësia dhe shkujdesja e kanë rënduar, do t’i shtohet sprova.

Megjithatë, kjo situatë madhështore dhe tronditëse nuk është pa lajme të mira për mëshirën e Allahut. Allahu u ka dhënë disa robërve të Tij të zgjedhur një nderim të madh: t’i mbulojë me hijen e Arshit të Tij Ditën e Kiametit, me nderimin, përkujdesjen dhe mbrojtjen e Tij, i Lartësuar qoftë Madhështia e Tij. Kjo do të ndodhë atëherë kur vapa të jetë e madhe, brenga të jetë rënduar dhe njerëzit të mos gjejnë strehë nga tmerri i asaj situate. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shtatë janë ata të cilët Allahu do t’i mbulojë me hijen e Tij Ditën e Kiametit, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij: një prijës i drejtë; një i ri që është rritur në adhurimin e Allahut; një burrë që e ka përmendur Allahun kur ka qenë vetëm dhe sytë i janë mbushur me lot; një burrë zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë; dy burra që janë dashur për hir të Allahut; një burrë të cilin një grua me pozitë dhe bukuri e ka ftuar për të kryer marrëdhënie me të, ndërsa ai ka thënë: “Unë i frikësohem Allahut”; dhe një burrë që ka dhënë lëmoshë dhe e ka fshehur atë aq shumë, saqë dora e majtë nuk e ka ditur se çfarë ka dhënë dora e djathtë.”[1]

Namazi që robi e fal me përulësi, lëmosha që e fsheh, loti që i rrjedh nga frikërespekti ndaj Allahut, sinqeriteti në marrëdhëniet me të tjerët, mirësia ndaj prindërve, ruajtja e lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj krijesave dhe përmbajtja nga dëmtimi i tyre nuk janë vepra të vogla në peshoren e Ahiretit. Përkundrazi, ato mund të bëhen shkak për shpëtimin nga një ditë në të cilën brenga do të jetë e madhe.

Në të kundërt, padrejtësia, vrasja, shpifja, ngrënia e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë, kamata, mashtrimi, tradhtia, neglizhimi i detyrimeve fetare, cenimi me gjuhë i nderit të njerëzve dhe shpërfillja e të drejtave të robërve të Allahut nuk janë gjynahe kalimtare, siç mendojnë shumë njerëz. Përkundrazi, ato janë barra që bartësit e tyre do t’i mbajnë deri në Ditën e Llogarisë, ku dredhitë nuk do të bëjnë dobi dhe pendimi nuk do të vlejë më.

Kujtimi i tmerreve të Kiametit nuk është thirrje për dëshpërim dhe as thjesht nxitje e frikës; përkundrazi, është thirrje për të bërë çdo të mirë dhe edukim për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë. Përmendja e shpeshtë e Ahiretit është ndër gjërat më të mëdha që pastrojnë shpirtrat dhe nxisin sinqeritetin e vetëllogaritjen.

Sa nevojë ka myslimani që këtë hadith ta mbajë të pranishëm në zemrën e tij sa herë që shpirti e fton drejt një gjynahu, kur një vepër e mirë i rëndohet, kur kjo botë e josh me stolitë e saj ose kur ai anon drejt padrejtësisë dhe njerëzve të saj! Sepse çastet e bindjes në këtë botë mund të bëhen shkak për një rehati që nuk ndërpritet kurrë, ashtu siç çastet e shkujdesjes mund të bëhen shkak për një brengë të gjatë.

I lutemi Allahut që të na i rëndojë peshoret e veprave të mira, të na e lehtësojë gjendjen në Ditën e Gjykimit dhe të na mbulojë me hijen e Tij në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij.

Autor: Ahmed Nessar

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu dhe Muslimi.