Djaloshi i Varfër dhe Zdrukthëtari

Përfitoni prej këtij tregimi…

Një djalosh i varfër, para shumë dekadash, kërkonte gjithandej punë dhe më në fund gjeti te një zdrukthëtar. Detyra e tij ishte që të shkonte në pyll për të prerë drurë me sëpatë dhe t’i sillte te zdrukthëtari.

Ditën e parë, fort i gëzuar që gjeti punë, preu 10 drurë dhe i solli në punëtori.

Ditën e dytë u angazhua edhe më shumë, por arriti t’i priste vetëm 9 drurë.

Ditën e tretë vetëm 8 drurë…!?

Pronari e ndaloi këtë djalosh dhe e pyeti: ‘A je i kënaqur me punën që ke’?

Djaloshi u përgjigj: ‘Po jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që më në fund gjeta punë te ju’.

Atëherë pse nuk je duke sjell në punëtori sasi të njëjtë sikur ditën e parë, pyeti pronari?

Djaloshi u përgjigj: ‘Unë jam duke u angazhuar edhe më shumë se ditën e parë, por me të vërtetë nuk e di se ç’po ngjet’.

Pastaj pronari e pyeti: ‘A je ndalur ndonjë prej ditëve ta mbrehësh sëpatën’?

Djaloshi u përgjigj: ‘Jo, sepse nuk kam kohë, më duhet të pres drurë pa ndërprerë’…!?

Përfitimi prej këtij tregimi:

Ne të gjithë shumë herë angazhohemi në aktivitete dhe punë të ndryshme e aspak nuk ndalemi t’i ‘mbrehim sëpatat’ që nënkupton, t’i analizojmë punët që janë bërë dhe që na presin!?

Analizat dhe vlerësimet që i bëjmë punës tonë, si dhe koha e shpenzuar në këtë drejtim konsiderohet INVESTIM, e aspak humbje e kohës siç e ka cilësuar djaloshi me sëpatë!

Qasja e njëjtë vlen edhe për jetën tonë në përgjithësi.

A jemi ndalur ndonjëherë dhe t’i analizojmë vitet që kanë kaluar dhe mos rastësisht kemi devijuar prej qëllimit të ardhjes tonë në këtë botë!?

Uroj punë të mbarë dhe transformim pozitiv në karrierën dhe jetën tuaj!

Vehbi Zeqiri

Fondacioni për Lidership dhe Avancim Personal