Donika Kadaj kthehet në AAK

​U pa t’i qëndrojë afër Albin Kurtit, gjatë seancës së të mërkurës në Kuvend të Kosovës, por Donika Kadaj-Bujupi ia ktheu shpinën kreut të VV-së, për t’u kthyer në shtëpinë e vjetër. Deputetja i është bashkuar sërish AAK-së

Lajmin për kthimin e Kadaj-Bujupit në partinë e tij e ka dhënë vetë kryeministri Ramush Haradinaj.

“Me deputeten e Kuvendit, Donika Kadaj-Bujupi, bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Nga sot, Donika i rikthehet Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Rrugëtimin nëpër proceset politike në vend do ta vazhdojmë bashkërisht”, ka shkruar kreu i AAK-së në Facebook.

Donika Kadaj-Bujupi ishte konsideruar për vite të tëra personi më besnik i Ramush Haradinajt, por ajo në prill të 2016-ës ishte larguar nga AAK-ja për t’iu bashkuar VV-së.

Kadaj që dikur derdhte lot për Haradinajn, kur ky u bë kryeministër, deri më sot, ka qenë e zëshme në kundërshtime ndaj tij si shef i ekzekutivit, madje edhe e ka konsideruar disa herë si pjesë e “Klanit Pronto”.