Dortmund – Bayern, derbi i xhiros

Ndeshja mes Borussia Dortmundit dhe Bayern Munichut, që ndryshe njihet si “Der Klassiker”, do ta ketë vëmendjen kryesore në xhiron e 10-të të Bundesligës gjemane. Ky derbi, do të zhvillohet të shtunën prej orës 18:30, ndërsa asnjëra prej ekipeve ende nuk dinë për humbje në kampionat. Përderisa Dortmundi ka vetëm një barazim karshi katër fitoreve në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Bayerni ka katër fitore e një humbje. Këtë humbje ia shkaktoi Saarbruckeni, ekip që e eliminoi nga Kupa e Gjermanisë në mesjavë. Në tabelë, Bayerni është më lart se Dortmundi. Renditet i dyti me 23 pikë të mbledhura, dy më shumë se Dortmundi që zë vendin e katërt. Bayernit në këtë ndeshje do t’i mungojë mbrojtësi Mathijs De Ligt për shkak të lëndimit, ndërsa Dortmundi pritet të jetë i kompletuar dhe do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve në këtë përballje.

Të shtunën, por prej orës 15:30, luan edhe lideri i Bundesligës, Bayer Leverkuseni. Leverkuseni i Granit Xhakës, do të jetë mysafir i skuadrës së Hoffenheimit. Edhe Leverkuseni nuk di për humbje këtë edicion dhe prinë në tabelë me 25 pikë të mbledhura pasi ka regjistruar 8 fitore e 1 barazim në 9 ndeshje të luajtura deri më tani. Në anën tjetër, Hoffenheimi është i gjashti në tabelë me 18 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë, Stuttgarti që po ashtu, ka befasuar me ecurinë e mirë këtë edicion, luan të dielën në kuadër të kësaj xhiroje. Prej orës 17:30, Stuttgarti do të luaj në udhëtim te skuadra e Heidenheimit.

Po ashtu të dielën, por në orën 15:30 zhvillohet edhe ndeshja ndërmjet Wolfsburgut dhe Werder Bremenit.