Dukagjini i vendosur për paraqitje pozitive në ndeshjen jubilare të Rijekës

Të enjten prej orës 20:15, Rijeka kroate e luan ndeshjen e 100-të në kuadër të garave të UEFA-s. Në anën tjetër të fushës do të jetë Dukagjini i Klinës. Skuadrat nuk mund të krahasohen sa i takon përvojës në gara evropiane. Dukagjini e luan vetëm ndeshjen e katërt në kuadër të kupave evropiane. Për skuadrën nga Klina është edicion debutues në Evropë.

Ndeshja në stadiumin “Rujevica” në Rijekë është e kthimit e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Një javë më parë në Prishtinë, Rijeka kishte fituar 1:0.

Rijeka vlerësohet favorite e madhe, por te Dukagjini do ta kërkojnë rastin.

“Na pret ndeshje e vështirë, edhe pse rezultati i ndeshjes së parë nuk është shumë i lartë. Shpresoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv. Do të jetë ndeshje më ndryshe. Tash e dimë se si luan Rijeka, kualitetin që ka. Jemi të gatshëm dhe të motivuar për të dhënë më të mirën. Shpresojmë në rezultat të mirë”, ka thënë Iljasa Zulfiu, sulmuesi i krahut i Dukagjinit.

Ai është prej më meritorëve që Dukagjini luan me Rijekën. Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, Dukagjini e eliminoi Europan e Gjibraltarit, falë golave të Zulfiut. Ai shënoi për fitoren 2:1 në Prishtinë dhe më pas dy gola në Gjibraltar, në fitoren 3:2.

Pra bilanci i Dukagjinit në Evropë është dy fitore e një humbje. Bilanci i Rijekës në garat e UEFA-s është 36 fitore, 25 barazime e 38 humbje.

“Kemi përparësi nga ndeshja e parë, por natyrisht nuk do ta mbrojmë atë. Duam të përmirësojmë përshtypjen e keqe nga derbi i Adriatikut. Duam të jemi energjikë dhe më të fuqishëm me topin në këmbë”, ka thënë trajneri i Rijekës, Sergej Jakiroviq.

Rijeka të dielën humbi derbin nga Hajduku në Split.

Dukagjini do të jetë pa trajnerin Armend Dallku në stol. Dallku u përjashtua me të kuq në ndeshjen në Prishtinë. Ndërkohë për shkak të kartonit të kuq mungon edhe Altin Merlaku. Nga suspendimi kthehet mesfushori Bujar Shabani, lojtari me përvojën më të madhe evropiane te skuadra nga Klina.