“Dy fëmijët e mi flenë të uritur dhe zgjohen të uritur”

Ebu Kasim, i cili ngeli i papunë për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga kequshqyerja si pasojë e bllokadës së Gutës Lindore nga regjimi i Bashar al-Asadit, përpiqet që të ngopë barkun e fëmijëve të tij duke shitur ato që i gjen në mbeturina.

Afro 400 mijë civilë luftojnë me urinë dhe sëmundjet e paraqitura si pasojë e rrethimit të regjimit të Asadit në rajonin e Gutës Lindore në afërsi të kryeqytetit të Sirisë, Damask.

Derisa në rajon thellohet kriza humanitare, familjet nën rrethim përjetojnë ditë të vështira. Ebu Kasim, i cili për të ngopur barkun e fëmijëve të tij i shet gjërat që ka mbledhur nga mbeturinat, për shkak të ushqyerjes së pamjaftueshme, urisë dhe humbjes së madhe në peshë, përballet me probleme serioze shëndetësore.

Ai më parë punonte si mjeshtër i pllakave, ndërsa iu përkeqësua gjendja financiare si pasojë e mos gjetjes punë për shkak të shëndetit. 42 vjeçari Ebu Kasim, pret një dorë që do i vijë në ndihmë familjes së tij.

Në deklaratën për Anadolu Agency (AA) ai thotë se: “Për çdo ditë, me fëmijët konsumojmë gjysmë vakti ushqim. Gjysmë vaktin e gjejmë nga shitja e plastikëve të mbledhura. Dy fëmijët e mi flenë të uritur dhe zgjohen të uritur. Kemi shitur gjithçka në shtëpi. Gjendja ime shëndetësore çdo ditë shkon duke u përkeqësuar. Kam ardhur në një gjendje të mos mundem të nxjerr ujë nga pusi i shtëpisë”.

Duke theksuar se e gjithë Guta Lindore përjeton ditë të vështira, Ebu Kasim tha se ka nisur të mos gjej edhe plastikë në mbeturina.

Rana, vajza e vogël e Ebu Kasim-it, duke u pikëlluar për gjendjen e tij, vazhdimisht e mbështet atë.

“Mendova të bëj vetëvrasje për shkak të gjerave që po përjetoj, megjithatë hoqa dorë. Lutem të jem prej atyre që durojnë”, u shpreh Ebu Kasim, duke shtuar se me vështirësi ka shpëtuar nga depresioni i përjetuar.

1 gotë qumësht kushton 1 mijë lira siriane

Sipas informacioneve të mbledhura nga gazetarët e AA-së në Gutën Lindore, në rajonet ku konsumohet ushqimi për fëmijë, 1 gotë qumësht shitet për 1 mijë lira siriane (rreth 1.5 euro).

Një kilogram oriz shitet për afro 3 mijë e 600 lira siriane (rreth 6 euro), ndërkaq një kilogram sheqer shitet për 2 mijë e 600 lira siriane (rreth 4 euro).

Në Gutën Lindore, e cila gjendet nën kontroll të opozitarëve, jetojnë afro 400 mijë civilë prej të cilëve gjysma janë fëmijë. Në kundërshtim me marrëveshjen në Astana ku Guta Lindore u shpall si “zonë jokonfliktuale”, regjimi i Asadit, garantues i së cilit ishte Rusia, ka 9 muaj që ka intensifikuar bllokadën ndaj rajonit në fjalë.

Në rajonin ku është thelluar kriza humanitare, ka mbi 600 raste urgjente dhe mijëra të sëmurë të tjerë të cilët presin të evakuohen. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose të sëmurë me kancer në faza të avancuara. Shumë foshnje dhe fëmijë nga Guta Lindore humbën jetën si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve.