Dy figura të larta reformiste iraniane janë liruar vetëm disa ditë pas arrestimit të tyre, njoftuan mediat lokale dhe avokati i tyre, transmeton Anadolu.
Javad Emam dhe Ebrahim Asgarzadeh, anëtarë të Frontit Reformist të Iranit, u ndaluan më herët gjatë kësaj jave së bashku me disa politikanë të tjerë të njohur reformistë.
Sipas mediave vendase, ndaj tyre janë ngritur akuza për veprim kundër unitetit kombëtar, mbajtje qëndrimesh kundër Kushtetutës së Iranit, koordinim me propagandën armike dhe krijim mekanizmash të fshehtë subversivë.
Emam është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së të Devotshmëve (Majma-e Isargaran), ndërsa Asgarzadeh është një aktivist veteran reformist dhe ish-deputet i parlamentit iranian.
Avokati i tyre konfirmoi lirimin, duke thënë se ata u lanë të lirë të enjten në mbrëmje pasi paguan kaucionin, dhe shprehu shpresë se edhe Azar Mansouri do të lirohet në ditët në vijim.
Mansouri, e cila drejton Frontin Reformist – një organizatë ombrellë që përfaqëson partitë dhe fraksionet kryesore reformiste në vend – është figura më e lartë reformiste e arrestuar ditët e fundit.
Të martën, Fronti Reformist publikoi një deklaratë duke dënuar ndalimin e anëtarëve të tij të lartë dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.
Në deklaratë thuhej se arrestimi i Azar Mansourit, Javad Emamit, Ebrahim Asgarzadehit dhe Mohsen Aminzadehit dhe thirrja në pyetje e disa anëtarëve të tjerë ka shkaktuar “keqardhje të thellë”, duke u bërë thirrje autoriteteve të ndërmarrin masa urgjente për lirimin e tyre.
Qeveria aktuale iraniane udhëhiqet nga Masoud Pezeshkian, i lidhur me rrymën reformiste dhe ish-ministër në administratën e ish-presidentit Mohammad Khatami.
Vala e fundit e arrestimeve vjen disa javë pas protestave në Iran, të cilat nisën paqësisht për shkak të pakënaqësive ekonomike, por më pas u shndërruan në të dhunshme, duke rezultuar me më shumë se 3.000 viktima, sipas shifrave zyrtare.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për mbështetje të asaj që e kanë cilësuar si “trazira” dhe “terrorizëm”.
