O trupi im,
Të kam duruar shumë. Të kam parë si ndizesh për lakmi, për rehati, për pasuri. Të kam ndjerë kur kërkoje më shumë gjumë, më shumë ushqim, më shumë botë.
Ti gjithmonë ke dashur “këtu”, unë gjithmonë kam dashur “atje”.
Ti do që të shijosh tani, unë dridhem për atë që vjen më pas…
Ti e do rehatinẽ e pasurinë, unë kërkoj qetësinë e ndërgjegjes.
Ti e do botën, por bota s’të do. A nuk e sheh, thjeshtë ti po na humb të dyve…
Ti mendon se je mbret, por harrove: je arkë që më mban mua deri në afatin e caktuar
Unë, shpirti yt, jam ai që do të fluturojë kur ti të shkatërrohesh.
Ti je shtëpi me qira — unë jam banori që do të largohet.
Ti do të mbetesh tokë — unë do të ngjitem tek Ai që më krijoi.
Mos më tërhiq drejt humnerës. Mos më verbo me epshet tua të çastit.
Unë nuk dua zjarrin që vjen pas kënaqësisë sate dhe nuk dua të mallkohem për t’i përmbushur tekat e tua.
Ti dëshiron që të të shohin. Unë dua që të na shohë Zoti. Ti do duartrokitje. Unë dua falje. Ti kërkon jetë pa mundim. Unë kërkoj shpëtim pa dënim.
Ndaj të lutem, o trup i imi:
Nëse nuk më ndihmon për t’u ngritur, të paktën mos më fundos.
Nëse nuk je gati të sakrifikosh për të Vërtetën, mos më bëj të shitem për gënjeshtrën
Sepse në ditën kur do të qëndroj para Zotit, nuk do të më mbrosh ti.
Atëhere do i kuptosh këto fjalë po mbase do të jetë vonë për të dy…
Ilir Hoxholli








