E diela dita e derbit londinez Arsenal-Chelsea

Futbolli anglez nuk mungon as këtë të dielë në ekranin e Supersport, madje kulmon në orën 15:00 me supersfidën e raundit të 20-të. Në Emirates Stadium, luhet derbi londinez mes Arsenal dhe Chelsea-t një sfidë që nuk duhet humbur për asnjë arsye. Përballë njëra-tjetrës janë dy skuadra në krizë rezultatesh. Arsenali ka marë vetëm 2 pikë në 3 sfidat e fundit, ndërsa Chelsea regjistron 1 fitore dhe 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit. Megjithatë skuadra e Lampard ka një pozicion shumë më komod se ajo e Mikel Artetës në klasifikimin e Premier League, pasi Chelsea pozicionohet në vendin e 4-t, në kuotën e 32 pikëve, 8 më shumë se Arsenali që mban vendin e 12-të me 24 pikë, shkruan supersport.

Tierney, Sokratis dhe Kolasinac do të jenë mungesat e sigurta të Arsenalit ndërkohë që blutë janë më të plotë në këtë aspekt. Topçinjtë do të kërkojnë të hakmerren edhe për finalen e humbur në Europa League sezonin e kaluar, por misioni do të jetë shumë i vështirë. Në orën 17:30 do të jetë radha e Liverpoolit që do të presë Wolves në Anfield një ndeshje që vjen pas suksesit të vështirë në Botërorin  e klubeve dhe suksesit të thellë ndaj Leicester në mesjavë. Skuadra e Jurgen Klopp do të tentojë suksesin e radhës për të vazhduar ecurinë fantastike në kampionat, edhe pse kundërshtari i radhës paraqet një shkallë të lartë vështirësie dhe në të njëjtën kohë i ka bërë një nder të madh Liverpoolit në këtë sezon pasi ka mposhtur dy herë rivalët e Manchester City-t. Pikërisht Citiziens ndeshjen e tyre të javës së 20-të e luajnë në orën 19:00 ndaj Sheffield United në Etihad Stadium.