Ballina Artikuj Ebu Lehebi vdiq… atëherë pse mbeti e gjallë kaptina Mesed?

Ebu Lehebi vdiq… atëherë pse mbeti e gjallë kaptina Mesed?

Ebu Lehebi vdiq…
atëherë pse mbeti e gjallë kaptina Mesed?
Studiuesi francez Olivier Roy ka propozuar konceptin e shndërrimit të fesë në një «fe të pastër», të shkëputur nga kultura, historia dhe realiteti në të cilin u shpall mesazhi.
Këtu shfaqet një rregull i rëndësishëm: nuk mund ta shkëputim fenë nga realiteti i saj kulturor dhe historik, por as nuk duhet ta burgosim atë brenda atij realiteti.
Kurani nuk zbriti në boshllëk. Ai zbriti në një gjuhë, kulturë, shoqëri dhe realitet të caktuar, përballë ngjarjeve, pyetjeve dhe problemeve konkrete. Njohja e këtij konteksti na ndihmon ta kuptojmë më mirë mesazhin. Por atëherë shtrohet pyetja: si kalojmë nga realiteti i atëhershëm drejt universalitetit të Kuranit?
Le të marrim si shembull suren El-Mesed.
Kjo kaptinë lidhet me qëndrimin e Ebu Lehebit ndaj të Dërguarit. Nëse themi se kjo ngjarje ishte arsyeja e zbritjes së sures, mund të krijohet përshtypja se sureja zbriti vetëm për shkak të Ebu Lehebit dhe se ekzistenca e saj dhe kuptimi i saj janë të lidhura vetëm me atë ngjarje.
Por Ebu Lehebi vdiq dhe ngjarja mori fund, ndërsa kaptina mbeti.
Këtu qëndron dallimi që duam ta thjeshtojmë:
Ne e njohim ngjarjen për ta kuptuar ajetin, por nuk e burgosim ajetin brenda ngjarjes.
E njohim rrethanën e zbritjes dhe pastaj kërkojmë mësimin që e tejkalon atë rrethanë dhe i drejtohet njeriut në çdo kohë.
«Në tregimet e tyre ka, pa dyshim, mësim për njerëzit me mend.»
(Jusuf, 111)
Ebu Lehebi ishte një personazh historik dhe jeta e tij përfundoi. Por ajo që Kurani zbulon përmes qëndrimit të tij mund të përsëritet në çdo kohë: pasuria, pozita, krenaria, interesi personal dhe dëshira për pushtet mund ta shtyjnë njeriun t’i kundërvihet së vërtetës.
Çdo epokë ka njerëzit e saj, pyetjet e saj dhe kufirin e saj të dijes.
Prandaj, nuk duam një Kuran pa histori, sepse kjo mund të na çojë drejt «injorancës së shenjtë».
Por nuk duam edhe një Kuran të burgosur brenda historisë, sepse kjo do t’ia mohonte tekstit universalitetin e tij.
E kuptojmë historinë e tekstit, përfitojmë nga përpjekjet e atyre që na kanë paraprirë dhe pastaj e mbajmë të hapur derën e reflektimit për çdo epokë.
Sepse teksti është i qëndrueshëm, ndërsa kuptimi që njeriu nxjerr prej tij është përpjekje njerëzore, e ndikuar nga epoka, pyetjet dhe niveli i dijes së tij.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron universaliteti i Kuranit:
Teksti mbetet një, ndërsa aftësia e njeriut për të zbuluar udhëzimin e tij ripërtërihet.

Ezher Buazizi
Hoxhë Halil Avdulli