Edhe minoritetet kundër Qeverisë

Mocioni i nisur nga Nisma për Kosovën për ta rrëzuar qeverinë e koalicionit PDK-LDK ka gjetur mbështetjen e mbi 40 deputetëve. Në mesin e atyre që kanë nënshkruar është edhe deputeti Danush Ademi nga Grupi 6+.

Përfaqësuesi i komunitetit ashkali thotë se qeveria nuk ka bërë asgjë në drejtim të mirëqenies së qytetarëve ashkali që jetojnë në Kosovë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Ademi ka deklaruar se nuk ka asnjë rezultat që Qeveria ka punuar për t`u rregulluar jetesën qytetarëve ashkali.

“Për komunitetin tim nuk ka punaur asgjë, për atë edhe e kam nënshkruar mocionin. Përderi sa qytetarët e mi ende bredhin rrugëve dhe mbledhin kanaqe dhe pastrojnë rrugë e janë të papunë, qëndrojnë nëpër semafora për t`i pastruar veturat për 1 a 2 euro, unë nuk jam i kënaqur nga kjo qeveri. Kam besuar se kjo qeveri do të bëjë diçka, por nuk ka bërë asgjë deri më tani për komunitetin tim”, ka thënë ai.

Ademi ka komentuar ditën e mërkurë kur edhe pritet të vendoset për seancën e jashtëzakonshme rreth mocionit.

“Duhet të shikohet vullneti i të gjithë deputetëve brenda në Kuvend. Besoj se çdo mocion që është bërë deri më tani ka pasur sukses”, është shprehur ai.

Ndryshe, i pakënaqur me punën e Qeverisë është deklaruar sot kreu i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli. Kurse, partneri i PDK-së në koalicion, LDK-ja ka deklaruar se nuk e përkrah asnjë mocion rreth rrëzimit të Qeverisë. Madje, është kryeministri Isa Mustafa ai që këmbëngul se Qeveria ka kryer punë të mëdha gjatë mandatit.