Egjipti ka reaguar ashpër ndaj planeve të Izraelit për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Gaza drejt kufirit egjiptian, duke e cilësuar këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare të vendit.
Një zyrtar i lartë egjiptian tha për gazetën Asharq al-Awsat se Izraeli nuk po bën përpjekje serioze për të zgjidhur krizën në Gaza dhe paralajmëroi se ndërtimi i kampeve për refugjatë pranë kufirit përbën “rrezik të madh për Egjiptin”.
Sipas mediave izraelite, një delegacion i sigurisë nga Egjipti ka kundërshtuar planet izraelite për zgjerimin e operacioneve ushtarake në Rafah dhe ngritjen e kampeve për qindra mijëra palestinezë pranë kufirit, duke e quajtur këtë një “bombë me sahat”.
Rrezikohet marrëveshja e paqes me Izraelin
Përballë shtimit të forcave izraelite në kufirin me Gazën, Egjipti ka forcuar praninë ushtarake në rajonin e Sinait. Sipas ekspertëve, kjo është një përgjigje ndaj veprimeve që mund të shkelin marrëveshjen e paqes të vitit 1979 midis dy vendeve.
Gjeneralët dhe analistët egjiptianë theksojnë se përpjekjet e Izraelit për të shtyrë palestinezët jashtë Gazës përbëjnë shkelje të hapur të marrëveshjes së paqes. “Izraeli po përpiqet të eliminojë çështjen palestineze, dhe Egjipti nuk do ta lejojë këtë,” u shpreh gjeneral Muhammad Abdulwahid.
Tension diplomatik, jo ushtarak
Ekspertët vlerësojnë se tensionet midis Egjiptit dhe Izraelit janë aktualisht politike dhe diplomatike, jo ushtarake. Egjipti ka refuzuar të pranojë ambasadorin e ri izraelit dhe ka tërhequr ambasadorin e vet nga Tel Avivi – një shenjë e qartë e përkeqësimit të marrëdhënieve.
Ndërkohë, Izraeli ka marrë kontrollin e kalimit kufitar Rafah dhe të korridorit Filadelfi në maj 2024, duke akuzuar Egjiptin për dështim në ndalimin e kontrabandës së armëve në Gaza – një pretendim që Kairo e ka mohuar. /mesazhi








