Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Egjipti, një “listë të zezë” me shumë polemika

Egjipti, një “listë të zezë” me shumë polemika

Pushteti i Sisit shënjestron 35 organizata islame evropiane, mes tyre dy nga Shqipëria dhe Kosova

Një vendim i Gjykatës Penale të Kajros ka përfshirë 35 organizata dhe institucione islame evropiane në listën e terrorizmit, mes të cilave gjenden edhe dy subjekte nga rajoni ynë: “The Future Cultural Association” nga Shqipëria dhe “Cultural Foundation for Science and Education” nga Kosova.

Vendimi i marrë dje në kuadër të çështjes nr. 11108/2026 të Prokurorisë së Lartë të Sigurisë së Shtetit, u botua në shtojcën e Gazetës Zyrtare të Egjiptit.

Në listë përfshihen gjithashtu me dhjetëra institucione me ndikim në mbarë kontinentin, si Këshilli i Myslimanëve të Evropës, Fondacioni Myslimanët e Francës, Shoqata Islamike e Britanisë, Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime, si dhe 36 individë.

Vendimi parashikon masa pesëvjeçare sipas legjislacionit egjiptian, që përfshijnë ngrirjen e aseteve, mbylljen e ambienteve dhe ndalimin e udhëtimit, ndonëse dokumentet e publikuara nuk ofrojnë provë të veçantë për entitetet e targetuara.

Media ndërkombëtare si Middle East Monitor (MEMO), platforma si Al Jazeera, si dhe rrjete opozitare egjiptiane në ekzil si Rassd e Al-Sharq, thonë se ky vendim përfaqëson një zhvillim të paprecedentë dhe një tejkalim skandaloz të juridiksionit nga ana e autoriteteve egjiptiane.

Në vend të një procesi të bazuar në prova, regjimi i Kajros po përdor sistemin e tij gjyqësor si një “armë politike” për të eksportuar autoritarizmin jashtë kufijve, duke shënjestruar padrejtësisht shoqata kulturore, arsimore e bamirëse që veprojnë në përputhje të plotë me ligjet evropiane.

Sipas tyre, prapa këtij aksioni fshihet një axhendë e qartë politike. Që nga grushti i shtetit i vitit 2013 që rrëzoi presidentin e zgjedhur Mohamed Morsi, regjimi i Abdel Fattah el-Sisi hyri në një periudhë ftohjeje drastike me Turqinë dhe ato vende arabe që mbështetën liritë politike.

Për të thyer këtë izolim dhe për të konsoliduar pushtetin, Kajroja ndërtoi një bosht të ri rajonal përmes një afrimi të madh me Greqinë dhe Izraelin.

Në këtë kontekst, shpallja e organizatave evropiane si “terroriste” cilësohet nga mediat kritike si një përpjekje për t’i bërë qejfin aleatëve të saj të rinj strategjikë si Izraeli dhe Greqia, si dhe për të krijuar një narrativë të rreme sigurie.

Duke e instrumentalizuar luftën kundër ekstremizmit, regjimi egjiptian synon të godasë çdo strukturë të pavarur të diasporës, të demonizojë angazhimin civil islam në Evropë dhe të ushtrojë presion mbi institucionet perëndimore. \tesheshi