Gara në Michigan, më shumë se një përballje mes dy kandidatëve
Sfida më e rëndësishme e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA mund të zhvillohet në Michigan, ku kandidati për senator Abdul El Sayed po trazon ekuilibrat brenda partisë.
Epidemiolog, bir i emigrantëve egjiptianë dhe përfaqësues i krahut progresist, ai është mbështetur nga figura të rëndësishme të së majtës amerikane, përfshirë Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez.
Megjithëse kryeson në sondazhe, kandidatura e tij po përballet me kundërshti të forta, jo vetëm nga republikanët, por edhe nga brenda vetë Partisë Demokratike.
Rëndësia e kësaj gare shkon përtej një mandati në Senat. Michigan-i, një shtet tradicionalisht demokrat, por që në vitet 2016 dhe 2024 votoi për Donald Trumpin, mund të shndërrohet në një provë vendimtare për të ardhmen ideologjike të demokratëve.
Fitorja ose humbja e El Sayed, si dhe diferenca e rezultatit, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e kandidatit presidencial të vitit 2028.
Vetë kandidati e ka bërë të qartë se ambicia e tij nuk kufizohet te fitimi i një vendi në Senat. Ai dëshiron që Michigan-i të luajë rolin që Iowa ka pasur historikisht në zgjedhjet paraprake, duke përcaktuar drejtimin e garës brenda partive.
Alexandria Ocasio-Cortez e ka cilësuar këtë kandidaturë si një eksperiment të madh për të majtën demokrate. Sipas saj, nëse një kandidat si El Sayed fiton në një shtet me prirje të luhatshme si Michigan-i, kjo do të dëshmonte se e majta më radikale mund të fitojë në të gjithë vendin.
Një rezultat i tillë do të forconte edhe ambiciet e vetë Ocasio-Cortez për të garuar për Shtëpinë e Bardhë. Kjo perspektivë ka alarmuar republikanët. Trumpi e ka sulmuar kandidatin me gjuhë të ashpër, duke e quajtur “gangster të Botës së Tretë”, xhihadist dhe simpatizant të terroristëve, madje duke vënë në pikëpyetje përkatësinë e tij në shoqërinë amerikane.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance ka zhvilluar fushatë kundër tij në Michigan, duke e akuzuar se urren Amerikën dhe se kërkon të minojë demokracinë nga brenda institucioneve.
Kandidati republikan Mike Rogers, ish-agjent i FBI-së dhe ish-kongresmen, e akuzon El Sayed se mbështet Vëllazërinë Myslimane, organizatë me origjinë egjiptiane që është shpallur terroriste nga disa shtete arabe, përfshirë Egjiptin. Akuzat lidhen pjesërisht me të kaluarën e nënës së kandidatit, për të cilën kundërshtarët pretendojnë se ka pasur lidhje me këtë organizatë.
El Sayed i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Ai ka treguar se nëna, një infermiere nga Misuri, u nda nga i ati kur ai ishte vetëm tre vjeç, u kthye në Egjipt dhe ndërpreu kontaktet me familjen.
Abdul u rrit nga babai dhe gjyshërit. “Kam lindur në vitin 1984. Pse duhet të jap llogari për atë që mund të ketë bërë nëna ime në vitet shtatëdhjetë?”, është përgjigjur ai ndaj akuzave.
Megjithatë, problemet e tij nuk vijnë vetëm nga republikanët. El Sayed duhet të fitojë edhe besimin e një pjese të elektoratit afrikano-amerikan, që përbën rreth 14 për qind të popullsisë së Michigan-it dhe nuk e sheh me simpati komunitetin arab.
Edhe pse këta votues nuk pritet të mbështesin republikanët, ekziston rreziku që një pjesë e tyre të mos votojë fare. Për këtë arsye, në mbështetje të tij janë angazhuar figura si Barack Obama dhe Kamala Harris.
Obama, të cilin El Sayed e kishte kritikuar ashpër në të kaluarën, tashmë ka dalë publikisht në krah të tij. Një tjetër problem i madh është përçarja brenda demokratëve. Haley Stevens, kongresmenia që ishte mbështetur nga establishmenti i partisë dhe që humbi ndaj El Sayed në zgjedhjet paraprake të gushtit, nuk e ka pranuar asnjëherë plotësisht humbjen.
Gjatë fushatës, kandidati e kishte akuzuar atë se ishte në shërbim të Izraelit dhe e kishte cilësuar si kandidaten më të paaftë në Amerikë.
Fillimisht Stevens deklaroi mbështetjen formale për fituesin, por pa bërë fushatë në krah të tij dhe duke vazhduar kritikat. Në prag të zgjedhjeve, ajo shkoi në një aktivitet së bashku me El Sayed, por më pas shkaktoi një tronditje politike duke deklaruar publikisht mbështetjen për rivalin republikan, Mike Rogers.
Pas kësaj përçarjeje qëndron frika e establishmentit demokrat: partia dëshiron të fitojë Michigan-in për të rimarrë kontrollin e Senatit, por nuk dëshiron që një sukses i El Sayed t’i hapë rrugën Ocasio-Cortez dhe krahut radikal në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
El Sayed mbështetet te karizma, përvoja në shërbimet publike dhe një program ekonomik me mesazhe të drejtpërdrejta: “Paratë jashtë politikës. Më shumë para në xhepat tuaj. Kujdes shëndetësor publik për të gjithë”.
I diplomuar në mjekësi në Universitetin Columbia, ai zgjodhi karrierën akademike dhe më pas drejtoi strukturat shëndetësore të Detroitit dhe të kontesë Wayne. Gjatë kësaj periudhe u angazhua për zgjerimin e shërbimeve mjekësore për shtresat e varfra.
Në zgjedhjet paraprake ai arriti të mposhtë Stevens-in, megjithëse kjo e fundit kishte një epërsi financiare prej 11 me 1. El Sayed refuzon financimet nga korporatat, duke argumentuar se paratë e kompanive ndikojnë më pas në vendimmarrjen politike.
Kundërshtari i tij republikan, përkundrazi, mbështetet nga industria farmaceutike. Rogers ka mbështetur në Kongres ligje që mundësuan përhapjen masive të qetësuesve opioidë, të cilët shkaktuan një krizë të rëndë varësie dhe mijëra viktima në SHBA.
Për këtë arsye, gara në Michigan është më shumë se një përballje mes dy kandidatëve. Ajo është një betejë për drejtimin e ardhshëm të politikës amerikane dhe për atë se kush do ta përcaktojë fytyrën e Partisë Demokratike në garën presidenciale të vitit 2028. /tesheshi





