Ai që mbrojti interesin tonë kombëtar me një integritet që shpesh tejkaloi atë të vetë klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë
Ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel, një nga mbështetësit më të zëshëm të çështjes shqiptare në Uashington, është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Engel mbylli sytë duke lënë pas një trashëgimi të pasur politike që ndryshoi rrjedhën e historisë për miliona shqiptarë në Ballkan.
Lajmi ka sjellë reagime të menjëhershme nga krerët e shteteve në Prishtinë dhe Tiranë, të cilët e kanë cilësuar humbjen e tij si fundin e një epoke për diplomacinë tonë strategjike me SHBA-në.
I lindur në vitin 1947 në Bronks dhe i zgjedhur për herë të parë në Kongres në vitin 1989, Engel kryesoi për vite me radhë Komitetin e Punëve të Jashtme.
Biografia e tij politike u gërshetua pashmangshmërisht me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, ku ai u bë pionieri që hapi dyert e Shtëpisë së Bardhë për nevojat e Kosovës.
Engel ishte arkitekti kryesor i lobimit që institucionalizoi mbrojtjen e shqiptarëve, duke u bërë zëri më autoritar në fund të viteve 1990 për ndërhyrjen e NATO-s dhe ndaljen e spastrimit etnik serb.
Në historinë e diplomacisë moderne, rasti i Eliot Engel përbën një prej paradokseve më interesante gjeopolitike. Shpeshherë, ky kongresmen amerikan u tregua “më shqiptar” se shumë prej eksponentëve që militojnë apo kanë milituar në klasën politike në Tiranë dhe Prishtinë.
Ky kontrast nuk është thjesht një konstatim emocional, por një realitet që buron nga qëndrueshmëria e tij doktrinare përballë pragmatizmit shpeshherë dëmtues të liderëve lokalë.
Ndërsa politika në Shqipëri dhe Kosovë është karakterizuar nga ndarje polare dhe interesa partiake, Engel shërbeu si një konstante e palëkundur.
Ironia qëndron në faktin se, ndërsa politikanë shqiptarë në momente të caktuara ishin të gatshëm të bënin lëshime territoriale apo kompromise që cenonin funksionalitetin e shtetit, Engel qëndroi stoik në parimin e integritetit dhe sovranitetit të plotë.
Ky kontrast bëhet edhe më i dukshëm kur analizojmë se si Engel, pa pasur asnjë detyrim etnik, investoi dekada për të ndërtuar një arkitekturë mbrojtëse në Uashington. Në një kohë kur shumë politikanë vendas ishin të zënë me axhenda korrupsioni, Engel punonte që Shqipëria dhe Kosova të mbeteshin prioritet i sigurisë kombëtare amerikane.
Ai dëshmoi se mbrojtja e një kombi kërkon integritet moral, element që e shfaqi me bollëk. Sot, trashëgimia e Eliot Engel mbetet një kritikë e heshtur por e fuqishme ndaj çdo aktori politik shqiptar që interesin e ngushtë e vendosi mbi atë kombëtar.
Ai u bë mbrojtësi më i zëshëm i një kauze që vetë “bijtë” e saj, shpesh e neglizhuan ose e keqpërdorën për qëllime pushteti. Me ikjen e tij, kombi shqiptar humb një avokat të pakonkurrueshëm, punën e të cilit duhet ta vazhdojnë tashmë ata që jetojnë në lirinë për të cilën ai luftoi kaq shumë. /tesheshi








