Mohaddeseh Falahat kërkoi që SHBA dhe Izraeli të mbajnë përgjegjësi për vrasjen e dy fëmijëve të saj nga bombardimi i shkollës
Nëna e dy fëmijëve të vrarë nga një sulm me raketa mbi një shkollë në fillim të luftës në Iran, ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për vdekjen e tyre dhe i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara “të mos lejojnë që kjo tragjedi të harrohet”.
Mohaddeseh Falahat, deklaroi gjatë një seance të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë të premten se asnjë nënë nuk është e përgatitur të dëgjojë fjalët: fëmija yt nuk do të kthehet më! “E vërteta duhet të dalë në dritë dhe Izraeli e Shtetet e Bashkuara, që janë shkaktarët e kësaj vuajtjeje, duhet të mbajnë përgjegjësi” – deklaroi ajo.
Fjalimi i plotë i Mohaddeseh Falahat:
Zonja dhe zotërinj, unë jam një nënë, një nënë që edhe tani, kur kaloj pranë dhomës së fëmijëve të mi, ndjej dëshirën të hap derën dhe t’i shoh duke fjetur në krevatet e tyre, si gjithmonë, ose të ulur aty duke vizatuar.
Por dhoma është e heshtur, shumë më e heshtur se sa duhet të jetë ndonjëherë çdo shtëpi. Ai mëngjes ishte si çdo tjetër. Për mua ishte rutinë t’u vishja këpucët te dera, t’u krihja flokët dhe t’u vendosja çantat mbi shpatulla.
Nuk kishte asnjë shenjë se kjo do të ishte hera e fundit. Teksa po dilnin nga dera, ata thjesht thanë: Mami, hajde na merr pas shkollës…. Ajo fjali e thjeshtë tani përsëritet në mendjen time një mijë herë, dhe çdo herë zemra më digjet nga dhimbja.
Asnjë nënë nuk mendon kurrë se do ta përcjellë fëmijën e saj për në shkollë me një buzëqeshje, vetëm për t’u përballur më pas me heshtjen. Asnjë nënë nuk është e përgatitur të dëgjojë fjalët: fëmija yt nuk do të kthehet më.
Këto ditë, sa herë që shoh ndonjë fëmijë për një moment, mendoj se ndoshta, ndoshta nëse do të ishin fëmijët e mi, Mahdieh dhe Amin, ai ose ajo do të vraponte pikërisht ashtu. Do të qeshte pikërisht ashtu. Do të jetonte pikërisht ashtu.
Rrobat që blenë me aq gëzim për Novruz, janë ende aty, fletoret e tyre mbetën të papërfunduara. Po ashtu edhe ëndrrat e tyre. Unë nuk jam vetëm një nënë e pikëlluar. Jo. Unë jam zëri i të gjitha nënave që i dërguan fëmijët e tyre në shkollë, duke besuar se do të ishin të sigurt.
Një shkollë duhej të ishte një vend për të mësuar, për të qeshur dhe për të ndërtuar të ardhmen. Një vend i sigurt për fëmijët që supozohej të ndërtonin një të ardhme në këtë botë. Jo një vend ku e ardhmja e tyre shuhet në një çast.
Nga hetimet e deritanishme, del se sulmi mbi shkollën në Minab më 28 shkurt, vrau mbi 175 nxënës dhe mësues, u krye nga ushtria e SHBA-së. Amerikanët kishin shënjestruar një bazë detare iraniane dhe ndërtesa që ndodheshin ngjitur me shkollën.
Zyrtarët janë justifikuan duke thënë se ndërtesa e shkollës së vajzave kishte qenë më parë pjesë e kompleksit ushtarak dhe ushtria amerikane ishte mbështetur në të dhëna të vjetruara gjatë përcaktimit të koordinatave për sulmet. /tesheshi




