Erdoğan: Eksportet e drithërave nga Ukraina janë kritike për njerëzimin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se eksportet e drithërave nga portet ukrainase në botë janë kritike për njerëzimin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Fillimi i dërgimit të drithërave ukrainase në botë përmes vendit tonë është një zhvillim kritik për njerëzimin”, tha presidenti Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Erdoğan tha se të gjithë mund të dëshmojnë se Turqia ka bërë çdo përpjekje për të siguruar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Qëllimi ynë është që të sjellim së bashku Putin-in dhe Zelenskyy-n në vendin tonë, me shpresë në një të ardhme jo shumë të largët”, shtoi presidenti turk.

Më 22 korrik, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Për të mbikëqyrur dërgesat, në Stamboll është formuar Qendra e Përbashkët Koordinuese (JCC) me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja.

Duke njoftuar turneun e tij në Ballkan në tre vende, të planifikuar për javën e parë të muajit shtator, Erdoğan tha se Turqia i kushton Ballkanit “rëndësi të veçantë”.

Sot, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi se që kur anija e parë u largua nga Ukraina sipas marrëveshjes më 1 gusht, mbi 721 mijë tonë drithëra ukrainase janë dërguar në tregjet botërore.

Anija e re e shpimit e Turqisë

Më tej, Erdoğan tha se anija e katërt turke e shpimit ‘Abdulhamid Han’ është simboli i vullnetit për të mbrojtur interesat e vendit në Mesdhe.

“Ne besojmë se do ta kurorëzojmë gëzimin tonë për 540 miliardë metra kub gaz natyror që zbuluam në Detin e Zi me më shumë lajme të mira”, shtoi presidenti turk.

Më 17 korrik, anija ‘Abdulhamid Han’ filloi shpimin në pusin ‘Yorukler-1’ në Mesdhe.

Vendi zbuloi 540 miliardë metra kub gaz natyror në Detin e Zi. Anijet e tjera turke, respektivisht ‘Fatih’, ‘Yavuz’ dhe ‘Kanuni’, vazhdojnë operacionet e shpimit në Detin e Zi.

Aksidentet e fundit vdekjeprurëse në Turqi

Në lidhje me aksidentet vdekjeprurëse të trafikut gjatë fundjavës së fundit në provincat juglindore Mardin dhe Gaziantep, që morën jetën e dhjetëra njerëzve, presidenti Erdoğan tha se Turqia do të zbatojë masat e nevojshme në të gjitha fushat, veçanërisht në trafik dhe në sigurinë e automjeteve.

Ai shtoi se pas hetimeve do të ndërmerren veprimet e nevojshme ndaj autorëve.

Shumë vende i përcollën Turqisë ngushëllimet e tyre në formën e deklaratave të qeverisë dhe posteve në mediat sociale për ata që humbën jetën dhe u plagosën në aksidente.