Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për rihyrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35 të udhëhequr nga SHBA-ja, duke thënë se një hap i tillë do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe SHBA-së si dhe do të rrisë sigurinë e NATO-s, transmeton Anadolu.
Në përgjigjet me shkrim ndaj pyetjeve nga Bloomberg, duke iu referuar takimit të tij të shtatorit 2025 me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Erdogan e përshkroi vendimin për të përjashtuar Turqinë nga programi F-35 për shkak të blerjes së pajisjeve ushtarake nga Rusia pothuajse një dekadë më parë si “të padrejtë”, duke shtuar se ai ia ka përcjellë personalisht këtë Trumpit.
Erdogan tha se rikthimi i Trumpit në detyrë krijoi mundësi që marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Washingtonit të lëvizin në “një bazë më të arsyeshme dhe konstruktive”.
Në lidhje me çështjen e F-35, Erdogan tha se “Marrja e avionëve F-35 nga Turqia për të cilët ajo ka paguar tashmë dhe riintegrimi i saj në program, janë të rëndësishme dhe të nevojshme për lidhje më të mira me mbrojtjen e SHBA-së dhe NATO-s”.
Lidhur me një blerje të mundshme të avionëve F-16 Block 70 nga SHBA-ja, Erdogan tha se Ankaraja pret që kushtet të jenë në përputhje me frymën e aleancës së NATO-s, duke përmendur si shembull blerjen e avionëve Eurofighter nga Turqia.
Ndërsa për çështjen penale të ngritur në SHBA kundër huadhënësit shtetëror të Turqisë, Türkiye Halk Bankasi AS, Erdogan tha se Turqia i konsideron akuzat si të gabuara dhe është angazhuar në bisedime për të siguruar që banka të mos përballet me “ndëshkime të padrejta”. “Shpresa jonë është të arrijmë rezultat të drejtë që është plotësisht në përputhje me ligjin”, shtoi ai.
Duke folur për lidhjet dypalëshe energjetike, presidenti turk tha: “Ne kemi rritur ndjeshëm furnizimet tona me LNG, veçanërisht nga SHBA-ja. Kjo tani mban një pozicion të shquar në zinxhirin e furnizimit të Turqisë”.
Erdogan nënvizoi se qëndrimi i Turqisë është shumë i qartë, duke thënë se “Ne veprojmë në përputhje me interesat tona kombëtare dhe sigurinë tonë energjetike”.
“Si një vend që mbështetet në importe për një pjesë të konsiderueshme të kërkesave të tij për hidrokarbure, ne duhet të ndjekim qasje të kujdesshme dhe të ekuilibruar në të gjitha çështjet që mund të ndikojnë në sigurinë tonë energjetike”, tha ai.
– “Ankaraja është aktori i vetëm në gjendje të flasë drejtpërdrejt me Moskën dhe Kievin”
Erdogan theksoi se falë aftësisë së Turqisë për të qëndruar jashtë luftës Rusi-Ukrainë, Ankaraja mbetet mikpritëse e mundshme për bisedime të ardhshme paqeje dhe mund të ofrojë mbështetje për monitorimin e çdo armëpushimi midis vendeve ndërluftuese.
“Turqia qëndron si aktori i vetëm në gjendje të flasë drejtpërdrejt si me presidentin rus Vladimir Putin ashtu edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy”, tha Erdogan i cili shtoi se “Dera jonë mbetet e hapur për të gjithë. E kam përcjellë këtë vendosmëri qartë dhe në shumë raste tek të dy udhëheqësit”.
Erdogan kritikoi ashpër veprimet e kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu në Palestinë, duke theksuar se një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi e propozuar që pritet të formohet në Gaza do të “luftojë për të arritur legjitimitetin” pa përfshirjen e Turqisë.
“Ne jemi në pozicionin e një vendi kyç për një mision të tillë për shkak të lidhjeve tona të thella historike me palën palestineze, kanaleve të sigurisë dhe diplomacisë që kemi zhvilluar me Izraelin në të kaluarën dhe ndikimit tonë rajonal si një vend anëtar i NATO-s”, tha ai.
“Vullneti ynë politik është i qartë; ne jemi të gatshëm të marrim përsipër çdo përgjegjësi për një paqe të qëndrueshme në Gaza”, theksoi Erdogan.






