Familja kërkon hetim ndërkombëtar për Astrit Deharin

Një ditë para se të bëhet plot një vit prej vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, Prokuroria ka bërë të ditur se është në prag të mbylljes së hetimeve. Përfundimisht, ka thënë se nuk kanë gjetur kurrfarë indikacioni që do të çonte në dyshimin se i ndjeri është vrarë, shkruan sot Koha Ditore.

Njoftimi zyrtar për mbyllje të hetimeve është paralajmëruar se do të bëhet pas disa ditësh, meqë, sipas prokurorit të rastit, Metush Biraj, u kanë mbetur pa i kryer edhe “disa çështje teknike”.

Me këtë përfundim nuk është pajtuar familja Dehari. Ajo, përmes avokatit mbrojtës ka thënë se vazhdon të mos ketë besim në procesin hetimor që është zhvilluar deri më tani, duke besuar se djali i tyre është vrarë brenda qelisë së burgut.

Ka thënë se janë duke pritur një përgjigje nga Zyra e kryeministrit, që përmes Ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar të angazhojnë Institutin e Mjekësisë Ligjore në Zvicër për hetime të pavarura.