Ballina Artikuj Familjariteti i besimtarit me mbarë ekzistencën

Familjariteti i besimtarit me mbarë ekzistencën

Dr. Jusuf el-Karadavi (r.a)

Besimtari jeton i lidhur me mbarë ekzistencën, dhe jeton në familjaritet me të, me një ndjenjë të thellë harmonie, përshtatjeje dhe lidhjeje me të. Ky univers nuk është armik për të, as i huaj ndaj tij; ai është fusha e reflektimit dhe e marrjes së mësimit, skena e vështrimit dhe e meditimit të tij, si dhe shfaqja e mirësive të Allahut dhe e gjurmëve të mëshirës së Tij.

Ky univers i madh i tëri i nënshtrohet ligjeve të Allahut, ashtu siç i nënshtrohet edhe besimtari; universi e lartëson Allahun me tesbih, ashtu siç e lartëson edhe besimtari. Besimtari e sheh atë si një dëshmi që e udhëzon drejt Zotit të tij dhe si një mik që ia shuan vetminë. Me këtë vështrim miqësor dhe të gjerë ndaj ekzistencës, shpirti i besimtarit zgjerohet, zgjerohet jeta e tij dhe zgjerohet rrethi i ekzistencës në të cilin ai jeton.

Nuk ka asgjë më të gjerë se gjoksi dhe zemra e besimtarit, e cila përfshin të dy botët: të dukshmen dhe të padukshmen, botën e dëshmisë dhe botën e së fshehtës (gajbit); përfshin dy jetët: këtë botë dhe botën tjetër, jetën e përkohshme dhe jetën e përjetshme; dhe përfshin dy ekzistencat: ekzistencën e krijuar dhe kalimtare, si dhe ekzistencën e domosdoshme dhe të përhershme, ekzistencën e përjetshme pa fillim e pa mbarim, ekzistencën e Allahut, i Lartmadhëruar qoftë Ai.

Dhe nuk ka asgjë më të ngushtë se gjoksi i ateistit dhe i atij që dyshon në Allahun dhe në botën tjetër. Jeta e tij është më e ngushtë se një burg, madje se një “qeli” brenda burgut. Ai jeton i shkëputur nga përjetësia pa fillim dhe pa fund, nga e djeshmja dhe e nesërmja. Nuk njeh veçse ditën e sotme, dhe edhe nga ajo ditë nuk njeh tjetër veç kënaqësive shqisore. Ai jeton i izoluar nga ekzistenca e gjerë: nuk sheh prej saj veç vetveten dhe disa figura të kufizuara përreth, dhe nga vetja e tij nuk sheh veç trupin material dhe shtysat shtazore.

Kjo është një e vërtetë e qëndrueshme dhe një ligj i pandryshueshëm, që nga çasti kur Allahu e zbriti Ademin dhe bashkëshorten e tij në tokë e u tha: “E nëse ju vjen nga Unë udhëzim, kush e ndjek udhëzimin Tim nuk humbet dhe nuk mjeron. E kush i kthen shpinën përkujtimit Tim, ai do të ketë një jetë të ngushtë”[1]

Prandaj, nëse sheh disa prej atyre që janë larguar nga udhëzimi i Allahut dhe që jetojnë në bollëk material dhe në kënaqësi shqisore, mos u mashtro nga kjo pamje; sepse ngushtësia e vërtetë gjendet në brendinë e tyre. Kur shpirti ngushtohet dhe gjoksi shtrëngohet, ngushtohet edhe jeta dhe e gjithë ekzistenca. E kur shpirti zgjerohet, zgjerohet edhe jeta. Qysh herët ka thënë poeti:

Për jetën tënde, vendet nuk ngushtohen nga banorët e tyre,

por janë moralet e njerëzve që ngushtohen!

Rrethi i ekzistencës për kafshën është një rreth i ngushtë, i kufizuar nga stomaku dhe barku i saj dhe nga ajo që i mbush ato me bar e kullota, pa u kthyer pas asaj. Afër kësaj është edhe fëmija: ekzistenca e tij kufizohet te nëna dhe gjiri i saj; kur rritet pak, ajo zgjerohet duke përfshirë babanë, vëllezërit dhe fushën e lojës. E kur rritet gradualisht, fillon të zgjerohet rrethi i perceptimit të tij dhe, sa më shumë i afrohet pjekurisë, fillon të kuptojë kuptimet e përgjithshme dhe nocionet abstrakte.

Besimi në Allahun dhe në botën e padukshme është ai që e ngrit njeriun nga shtazëria në njerëzi dhe nga fëmijëria në pjekuri; sepse ai e ngre njeriun nga e ndjeshmja në të arsyeshmen, nga e dukshmja në të padukshmen dhe nga bota e dëshmisë në botën e së fshehtës.

Besimtari jeton me gjerësi në shpirtin dhe zemrën e tij, edhe nëse nuk jeton në gjerësi materiale; sepse natyra e besimit e zgjeron shpirtin, zemrën dhe jetën, ngaqë e lidh njeriun me mbarë ekzistencën: me të dukshmen dhe të fshehtën e saj, me të lartën dhe të ultën, me atë që shihet dhe që nuk shihet, me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen; e lidh me qiejt dhe tokën dhe me gjithçka që ndodhet në to.

E lidh me engjëjt, me mbartësit e Arshit dhe me forcat shpirtërore nga ushtritë e Allahut që vetëm Ai i di; e lidh me mbartësit e dritës hyjnore dhe me bartësit e shpalljeve qiellore, që nga Ademi (a.s), babai i njerëzimit, e deri te Muhamedi (a.s); e lidh me të sinqertët, dëshmorët dhe të mirët nga çdo umet dhe çdo epokë; e lidh me botën tjetër, ringjalljen, llogarinë, Xhenetin dhe Xhehenemin. Me pak fjalë: e lidh me ekzistencën dhe me Zotin e ekzistencës, të Parin dhe të Fundin, të Dukshmin dhe të Padukshmin.

Shpirti besimtar është i gjerë dhe i hapur; e si të mos jetë i tillë, kur ai jeton në një ekzistencë gjerësia e së cilës përfshin qiejt dhe tokën, Arshin dhe Kursinë, këtë botë dhe botën tjetër, përjetësinë pa fillim dhe përjetësinë pa fund?!

Shpirti besimtar është i gjerë dhe i hapur, sepse jeton në një dritë që e udhëzon në rrugën e tij dhe i zbulon çfarë ka përreth. Natyrë e dritës është të zgjerojë rrethin në të cilin jeton njeriu, ndryshe nga errësira; sepse ai që përfshihet nga errësira nuk sheh asgjë rreth vetes e as ata që e rrethojnë, madje nuk sheh as atë që është pranë tij, pothuajse nën dorë, e madje as vetveten. Kur i shfaqet një rreze e zbehtë, ai fillon të shohë veten ose diçka nga ajo që e rrethon. E kur kjo dritë forcohet dhe rrezet e saj përhapen, ajo i ndriçon një rreth më të gjerë; dhe sipas fuqisë së kësaj drite dhe fuqisë së shikimit të njeriut përcaktohet gjerësia e rrethit që ai percepton.

I Dërguari (a.s) u pyet për fjalën e Allahut: “A është njësoj ai të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin për Islamin, dhe ai është mbi një dritë nga Zoti i tij?”[2]. Ai tha: “Kur drita hyn në zemër, ajo zgjerohet dhe hapet”. Pra, zemra zgjerohet, hapet dhe çlirohet me dritën e besimit dhe të bindjes, ashtu siç ngushtohet dhe tkurret me errësirën e ateizmit, dyshimit dhe hipokrizisë: “Kë Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia hap gjoksin për Islamin; e kë dëshiron ta lërë në humbje, ia bën gjoksin të ngushtë e të shtrënguar”[3]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Taha: 122-124.

[2] – Sure Zumer: 22.

[3] – Sure En’am: 125.