Me shqetësim të thellë po ndjekim iniciativën për ndërtimin e një kishe katolike në një zonë ku nuk jeton asnjë besimtar katolik dhe gjitha fshatrat përreth janë me myslimanë. Kjo e bën të arsyeshme ngritjen e pyetjes nëse ky projekt buron nga një nevojë reale fetare apo nga motive të tjera.
Vushtrria është njohur ndër shekuj për harmoninë dhe respektin ndërfetar. Banorët e saj, pavarësisht përkatësisë fetare, kanë jetuar në paqe dhe mirëkuptim, duke mos lejuar që dallimet fetare të shndërrohen në burim përçarjeje. Pikërisht për këtë arsye, çdo projekt që mund të perceptohet si provokues ose që cenon ndjenjat e komunitetit duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe maturi.
Kjo iniciativë po mbështetet nga individë dhe grupe të njohura në vendin tonë për retorikë përçarëse dhe për nxitje të urrejtjes ndërfetare. Duke qenë se këta aktorë vazhdimisht promovojnë diskurs përçarës dhe cenojnë harmoninë ndërfetare, shqetësimi lidhur me këtë nismë bëhet edhe më i thellë.
Një objekt kulti duhet të ndërtohet për t’u shërbyer besimtarëve dhe nevojave të tyre shpirtërore. Kur ai ndërtohet në një vend ku nuk ka besimtarë të atij komuniteti dhe pa një nevojë të qartë fetare, krijohet përshtypja se projekti ka një karakter më shumë politik sesa fetar. Prandaj, është legjitime të kërkohet transparencë e plotë mbi arsyet, qëllimin dhe interesin publik të kësaj nisme.
Ne u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që çdo vendim të merret mbi bazën e nevojave reale të qytetarëve, duke ruajtur harmoninë, respektin e ndërsjellë dhe traditën e bashkëjetesës që e ka karakterizuar gjithmonë Vushtrrinë. Toleranca ndërfetare nuk ndërtohet mbi provokime dhe polarizim, por mbi dialog, mirëkuptim dhe respekt për ndjenjat e çdo komuniteti fetar.







